Politikë

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut bojkot ndaj Samitit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel?

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut bojkot ndaj Samitit të

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut paralajmërojnë bojkot ndaj Samitit të Ballkanit Perëndimor, parashikuar për tu mbajtur më 23-24 qershor në Bruksel, si shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin.

Kryeministri Edi Rama, pas një bisede me Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski, pyet në një postim në Twitter se çfarë duhet bërë atje, kur përgjigjja e pritshme mendohet të jetë Jo hapjes së negociatave për shkak të vetos bullgare.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi përmes një postimi në Twitter se ka biseduar me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të vendosur nëse do të marrin pjesë apo jo, në Samitin e Bashkimit Europian ku do të diskutohet edhe për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

“Sot në mëngjes fola me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin për Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë ne kemi vendosur që nesër në mesditë të shpallim vendimin tonë nëse do të marim pjesë apo jo në këtë takim,” shkruan Vuçiç.

Po ashtu, edhe Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se vendimi përfundimtar për pjesëmarrje në Samit do të merret nesër.

“Përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, sot zhvilluam një takim të jashtëzakonshëm për Ballkanin e Hapur së bashku me kolegët Aleksandar Vuçiç e Edi Rama. Diskutuam për pozicionet kombëtare të secilit vend, perspektivat rajonale dhe dinamikën e procesit të integrimit evropian. Konsultime të brendshme shtesë do të bëjmë nesër në mëngjes kur edhe do të marrim një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor pritet të marrin pjesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të diskutuar me krerët e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbi procesin e integrimit ku në fokus është dhe statusi kandidat për Ukrainën.