Politikë

Shtyhet seanca për votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ja kur do të mblidhet Kuvendi

Shtyhet seanca për votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ja kur do

Seanca Plenare parashikuar më datë 1 Tetor ku do të votoheshin ndryshimet e Kodit Zgjedhor është shtyrë.

Kuvendi i Shqipërisë njofton se seanca do të mbahet me 5 Tetor, ora 10:00 në mënyrë që ti lihet kohë e mjaftueshme grupeve parlamentare për dialog lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si dhe komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e tyre.

Opozita dorëzoi dy ditë më parë një draft ku kërkonte hapjen e listave 100% dhe mosprekjen e koalicioneve, ndërsa në draftin e PS, parashikohet që të hapen listat 100% por formula është preferenciale, ku kandidatët renditen në rend shifror. Ky rend ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se mesatarja e partisë, që del nga pjestimi i numrit të votave që ka marrë subjekti politik me numrin e mandateve të fituara nga subjekti.

Opozita parlamentare ka një tjetër draft, ku propozohet një formulë që i lejon kreut të partisë të mbyllë listat deri në 1/3, por mund të bëjë edhe lëshime.

Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor reaguan edhe ambasadorët Luigi Soreca  e Juri Kim të cilët apelojnë të zbatohet marrëveshja e 5 qershorit dhe ndryshimet të diskutohen në Këshillin Politik, në praninë e opozitës, e më pas  të votohet në parlament.

Ndërkaq, pritet që më datë 5 tetor të ketë draft të dakordësuar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.