Politikë

Ju UFO-t e politikës që bëheni merak për krimin

Ju UFO-t e politikës që bëheni merak për krimin

Rama iu kundërvu nga foltorja e Kuvendit kritikëve të OFL-së, duke i vendosur epitetin UFO. E ka me Partinë Demokratike, me Presidentin Meta, me të gjithë segmentin e politikës që sipas tij nuk po mbështesin qeverinë në nismën Anti-KÇK, duke argumentuar se sa herë vendoset një vijë e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar, ngrihen këto koalicionet e larmishme.

Pjesë nga deklarata e Ramës:

Si ka mundësi kur shfaqen më e qartë se asnjëherë vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat te i ashtuquajturi president për t’i qarë hallin këtyre të shkretëve, që kanë vrarë, trafikuar, kanë grabitur pronat, kanë shantazhuar dhe që me demek tani po dhunohen të drejtat e tyre njerëzore. Po turp nuk ju vjen fare? S’ju vjen turp këtyre njerëzve që kanë mikrofon, që kanë mundësinë të dalin në TV, të dalin në ekran, dhe janë bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazh në drejtim të qelive ku janë kyçur një pjesë e tyre, apo në drejtim të atyre që s’janë kyçur, duke u çuar mesazhin që jemi me ju. Kë mbrojnë këta? Për kë ju qan zemra? Cilat të drejta po cenon qeveria?

Prandaj keni dështuar dhe do dështoni, i gjithë fronti i kritikëve tanë pavarësisht se fizikisht apo virtualisht bashkë, jo se jemi të pakritikueshëm, jo se nuk kemi gabime dhe të meta, jo se çdo gjë e kemi bërë siç duhet, por se jeni pa lidhje. Jeni një pjesë shumë e vogël e popullit pa lidhje fare. Nuk e ndjeni këtë popull, këtë vend dhe se ndjeni se çfarë do ky vend dhe këta njerëz. UFO quhet në gjuhën angleze. Ndrydhe nga UFO-t në filma, UFO-t e këtushëm janë me helikë, ulen atje dhe fillojnë rrotullimin me shpejtësi të madhe dhe bëni një zhurmë që ndihmon vazhdimin e punës me qetësi dhe drejtësi.