Politikë

Si këto kohë me krijime partish të reja, s'kam parë! Kjo tregon sipas Ramës që sistemi është i hapur për të gjithë

Si këto kohë me krijime partish të reja, s'kam parë!

Diskutimi ka lindur nga deputeti i opozitës parlamentare dhe që është gjithashtu përfaqësues i një partie të vogël, Ralf Gjoni. Gjoni kërkoi hapja të listave 100% për partitë e vogla dhe tha se sistemi s’po i ndihmon ato ta bëjnë:

“Me Metën, Berishën, e keni mbyllur, por ne na detyroheni një korrektësi etike për të pasqyruar ato që ramë dakord në korrik. Na lejoni ne të tjerët që duam të bëjmë parti të re të garojmë me lista 100% të hapura”.

Kërkesës së tij, kryeministri Rama iu përgjigj:

“Sa po krijohen parti të reja këto kohë s’kam parë, është periudhë pjellorie e partive të reja, që janë krijuar apo deklaruar si lindje e sipër. Kjo tregon që sistemi është i hapur për të gjithë. Është i hapur për ata që marrin vota, jo ato që u mësuan të hipin nga treni i gjatë që hynte në Parlament dhe kush kapte vagonin e mallrave. Kur shkonim të dielën në plazh në Durrës, kishin ca që kapeshin te krahët e vagonëve të mallrave. Ajo kohë ka mbaruar. Këtë formulë s’e shpikëm ne, e kanë shumë vende dhe partia ka një logo, një traditë, një vlerë të shtuar për kandidatin. Nëse je kaq i fortë dil i pavarur dhe s’ke nevojë për listë dhe urdhëro futu në Parlament. Nëse futesh në parti, merr nga skuadra një pjesë të vlerës që ke si kandidat. Zgjedhjet do tregojnë që kandidatët me realisht vota do ta thyejnë renditjen”.