Sot pasdite mblidhet parlamenti për të votuar presidentin e ri
Bajram Begaj është i propozuari i Partisë Socialiste për postin e Presidentit të ri të Republikës. Ditën e sotme, në një seancë të posaçme në Kuvend pritet që të zhvillohet raundi i katërt për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Tre raundet e para dështuan pasi opozita nuk propozoi asnjë emër.
Para se të shkojë në Kuvend, emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS, që do të mblidhet paraditen e së shtunës rreth orës 10:00 dhe nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme. PS i ka votat për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, pasi në këtë raund mjaftojnë 71 vota.
Duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në Kuvend. Në orën 18:00 Kuvendi do të zhvillojë seancën për të ezauruar raundin e katërt. Sakaq, grupimi i Enkelejd Alibeajt ka deklaruar se nuk do të jenë në Kuvend për të votuar, ndërsa pjesa e PD e drejtuar nga Sali Berisha pohuan se do të jenë në sallë për të votuar kundër. Megjithatë, të dyja palët kanë kundërshtuar kandidaturën e Begajt.
Tiranapost.al