SPAK merr zyrtarisht të pandehur Berishën: Më thanë më ka korruptuar dhëndri im
Sali Berisha është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për veprën penale "korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë", në lidhje me dosjen "Partizani". Pas daljes nga SPAK, ish-kryeministri deklaroi se akuzat janë të gjitha mashtrime.
Në orën 14:00 do të paraqitet për t’u njohur me akuzën edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
“Jam i pandehur. Më thanë më ka korruptuar dhëndri im. Më akuzojnë për 500 faqe mashtrime, mashtrime dhe mashtrime. Asgjë nuk ndryshon, është vazhdim i një hakmarrje politike dhe për mua nuk ndryshon asgjë. Një hakmarrje politike, zbatimi i një urdhëri mafioz politik. Nuk ekziston asnjë dokument që të dëshmojë që në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit. Nuk ka asnjë firmë të Berishës për kthimin dhe kompensimin e pronës. I gjithë qëllimi është kapja e kokës së Partisë Demokratike”, tha Berisha.