Politikë

Strategjia e koalicioneve është shah, s’tregohet në intervista! Rama pyetet ç’do bëjë po nuk i fitoi zgjedhjet

Strategjia e koalicioneve është shah, s’tregohet në

Kryeministri Rama është sërish gati për bashkëpunim me liderin e opozitës Basha për të diskutuar lidhur me koalicionet. I pyetur për mënyrën se si do veprojë mazhoranca në zgjedhjet e ardhshme, Rama tha se lëvizjet nuk tregohen dhe se gjithçka është shah. Ai shpreh bindjen e plotë se PS-ja do të fitojë mandatin e tretë dhe ai do të jetë kryeministër edhe pas zgjedhjeve të 2021.

"Ne do të marrim shumicën, kjo është arsyeja pse jemi këtu. Kur ju thosha në 2017 që do të marrim shumicën as ju nuk e besonit. Po jua them prapë ne do të marrim shumicën. 'Nëset' janë çështje të analizave të brendshme dhe strategjive që ndërtohen për betejat dhe sigurisht nuk ndërtohen në intervista, kjo është shah, nëse lëvizjet do të tregoheshin në intervista nuk do të kishte shans të fitohej ndonjëherë", tha Rama për emisionin “Pa Protokoll”, në “Report Tv”.

Pavarësisht sigurisë së fitores së një mandati të tretë, i pyetur nëse do japë dorëheqjen po humbi zgjedhjet, kryeministri tha:

"Unë nuk do i humbas zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe nuk do të jap dorëheqjen si kryetar i PS-së sepse do të jem i detyruar të vijoj punën. Nuk flas kurrë me nëse, se ka edhe një shprehje që flet për hallën dhe xhaxhanë edhe... kohë është shumë e shtrenjtë për t'u humbur me nëse".