Të mërkurën, mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të zhvillojnë këtë të mërkurë mbledhjen e përbashkët të radhës.
Ajo do të mbahet në Gjakovë, qytet ku çdo 14 Qershor nderohen dëshmorët që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
Por më shumë sesa vendimet, këtë herë ajo që duket se përbën më tepër interes është dalja në konferencën e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Edi Rama.
Kjo për shkak se një draft i përgatitur së fundmi nga Rama mbi çështjen e Asociacionit të komunave serbe në veri, ku pak ditë më parë pati tensione të reja, nuk është është pritur mirë nga disa zyrtarë kosovarë, të cilët e shohin atë si ndërhyrje në punët e brendshme të tyre.
Ndërkohë është publikuar edhe axhenda e mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri:
11:00 – Mbërritja e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
11:15 -Mbërritja e kryeministrit Edi Rama
11:30 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë –Shqipëri
12:45 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
13:15 – Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrave Kurti e Rama
14:00 – Homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës
16:00 – Takimi me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare (Gjakova, Peja, Deçani, Prizreni, Dragash, Tropojë, Kukës dhe Has)