Politikë

Unë presidente nga socialistët? S’do më shkonte të thoja Po!

Unë presidente nga socialistët? S’do më shkonte të

Majlinda Bregu, në një intervistë në Top Story për Sokol Ballën, ka dhënë komentin e parë për zhurmën presidenciale. Ish-ministrja e PD i tha Ballës se ka qeshur me të gjithë ata që ia thonin përfshi edhe gazetarin:

“Kjo ishte një nga historitë e bukura që mund të kishte titullin e Shekspirit: “Shumë zhurmë për asgjë!” Zakonisht unë e kam patur fatin e keq që sa herë bëhen qeveritë lakohet emri im. Në këtë rast ishte lakimi i emrit për President, por ti je një ndër ata dëshmitarë që e di sa qesha unë. Ishe më i sigurtë se unë. Dhe ç’të thash në telefon? “Do flasim, do pimë një kafe dhe do qeshim me këtë histori bashkë.” Dhe ja ku jemi, kafen s’e kemi pirë akoma, por por qeshim,” u shpreh ajo.

Bregu thotë se nuk i shkonte asaj të ishte një presidente e propozuar nga socialistët edhe pse ajo falenderoi ata që e kanë vlerësuar.

Sokol Balla e pyeti: Pra do e kishit refuzuar?

“Po. Mua më nuk më shkonte në asnjë moment të isha Presidente apo çfarëdo posti të kishte ky vend si propozim nga PS”, tha ajo.

E pyetur për Berishën dhe Lulzim Bashën, ku për këtë të fundit, Balla i vuri në dukje cinizmin teksa fliste për të, Majlinda Bregu thotë:

“Nuk është as çështje cinizmi Sokol. Unë e kam takuar Lulzim Bashën vjet. Asnjë nuk e di, ose pak vetë e dinë, rastësisht në një udhëtim në Lubjanë të dy bashkë. Është ajo historia, një gjë që e merr përsipër o bëje ose ik. Je po aq i nderuar edhe nëse nuk e bën dot. Nuk pse t’i bësh të tjerët të marrin një kosto kaq të madhe dhe s’ke pse të jetosh nën frikën dhe petkun se nuk je ti, por dikush tjetër po të lëviz fijet, kjo është.”

Tema Berisha!

Për Majlinda Bregun i vetmi gabim i Berishës ishte zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të PD. Ajo gjjthashtu thotë se sot pavarësisht dëshirave të saj, lidershipin e kanë treguar zgjedhjet, - pra Berishën e do partia.

"8 vitet e pushtetit unë kam parë një Sali Berishë i cili ishte i devotshëm në punë, në kryerjen e reformave. Momenti më delikat për mua, ka qenë momenti i zgjedhjes së pasardhësit në PD për të mos iu kthyer historive nga e para, momenti më delikat ka qenë kur Berisha vendosi që pasardhësi i tij në PD do të jetë Lulzim Basha.

A ka mundësi sot PD pas dërrmimit që pati pas gjithë kësaj kohë, jo në dy grupe, në së paku tre mos edhe më shumë. A mund të dilte sot me një profil përbashkues për të gjitha grupet dhe të çonte partinë drejt një reformimi me peshën kryesore se këtij vendi i është larguar opozita, jo lidershipi i PD. Nuk e di nëse kjo mund të ndodhte në këtë moment, sepse historia e Berishës e riktheu në lojë,” tha ajo.

A ka patur një ftesë për tu rikthyer në PD?

“Kam patur një ftesë publike, por unë sot jam në vitin e katërt të një pune”, thotë Bregu, e cila kur pyetet nëse ka e sheh veten në të ardhmen në politikë në Tiranë, kujton se e gjen veten tashmë tek thënia “Pesimistë nga mendimet dhe optimist nga vullneti”.