Politikë

Veliaj: Asnjë votë për ata që braktisën detyrën

Veliaj: Asnjë votë për ata që braktisën detyrën

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se ata që premtojnë transport publik falas gënjejnë me shpresën për të kapur ndonjë votë. Nga Kavaja, ku u prezantuan kandidatët e PS për Këshillin Bashkiak, Veliaj deklaroi se është shumë e rëndësishme që me qytetarët të flitet hapur.

“Me njëri-tjetrin duhet të flasim hapur, ndaj kërkoj që secili prej jush të flasë me zemër në dorë me njerëzit. Është shumë kollaj të gënjesh dhe mund të premtosh autobus falas, avionë falas, trena falas. Ti mund të premtosh çdo gjë falas. Kavaja, Shqipëria e provoi atë sistem - sistemin e komunizmit - kur çdo gjë ishte falas dhe u varfëruam të gjithë njëkohësisht. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ne jemi skuadra fitimtare. Fitimtari nuk mund të gënjejë. Nuk mund të sajojë rrena për 3-4 vota. Sepse si fitimtarë, në 15 Maj, Partia Socialiste dhe Redjan Krali, do vazhdojnë ta qeverisin Kavajën dhe nuk e kanë luksin të gënjejnë. Prandaj themi vetëm të vërtetën, vetëm gjërat që mund të bëhen, vetëm gjërat që mund të realizohen, vetëm premtimet që mund të përballohen”, theksoi Veliaj.

Ai nënvizoi se në sondazhet e realizuara, Partia Socialiste rezulton fituese në zgjedhjet e 14 majit në të pesta bashkitë e Qarkut të Tiranës.