Politikë

Veliaj flet për takimet me personalitetet në SHBA: Promovova Shqipërinë, nuk shkova në Uashington të shaj Saliun dhe Metën

Veliaj flet për takimet me personalitetet në SHBA: Promovova

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së fundmi ka zhvilluar një vizitë në Uashington, SHBA, ku takoi figura dhe personalitete të njohura politike.

I ftuar në emisionin “Log”, në ABC News, me gazetarin Endri Xhafo, kryebashkiaku u shpreh se në Uashington ndodhej për të promovuar Shqipërinë. Veliaj tha se shqetësim për amerikanët ishin edhe sulmet kibernetike nga Irani, si dhe financimet ruse në politikën shqiptare.

“Unë nuk shkova të bëj fushatë, të shaj Saliun dhe Metën. Vendit tonë i duhen miq të mëdhenj. Shqipërisë i bën mirë. Por po të kisha shkuar të kisha bërë politikë, kush është “non grata” dhe kush është “sigurims”, kjo është bajate. Për të promovuar Shqipërinë dhe Tiranën unë gjithë ditën me këtë punë merrem. Kishin shqetësim për financimet ruse dhe sulmet e Iranit. Lul Basha është një kalë i ngordhur politikisht. Unë këta njerëz i luftoj kur janë të fortë”, tha Veliaj.

Veliaj foli dhe për organizimin e këtyre takimeve.

“Miqësitë fitohen. Zyra e bashkisë ka kërkuar takime me të gjithë këta personalitete dhe na janë përgjigjur të 20, nga 20 takime që kemi kërkuar, me përgjigjen: po, Kemi shumë interes të takojmë Kryetarin e Bashksië së Tiranës, të dimë më shumë çfarë po ndodh në Tiranë, çfarë po ndodh në Shqipëri. Patjetër me një sens shumë të madh mirënjohjeje edhe për atë që bëri qeveria jonë me afganët, edhe për atë që bëri qeveria jonë me iranianët. Edhe për atë që bëri qeveria jonë me Ukrainën”, shtoi Veliaj.