Politikë

Veliaj: Hallet e Zenit dhe Monës janë vilat miliona euro, jo hallet e njerëzve

Veliaj: Hallet e Zenit dhe Monës janë vilat miliona euro, jo hallet e

Nga Zallherri, ku u zhvillua sot mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh drejtues politik i PS për qarkun, ka ftuar të rinjtë që duan të angazhohen me politikë.

Duke iu përgjigjur deklaratave të një dite më parë të kryetares së LSI, kryebashkiaku tha se forca më energjike e shoqërisë sot, gjenerata e re nga e cila do të dalin drejtuesit e ardhshëm, nuk mund të vetëkënaqet me një birrë apo një ekskursion në Jalë.

“Dje pashë një takim të Monika Kryemadhit e cila thoshte: “E ftojmë lali Erin në partinë tonë, që të plotësojë ambiciet e veta”. Unë ambicie kisha të isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, që t’i shërbej popullit, qytetit tim. Si do lë Bashkinë e Tiranës, që të shkoj të pi një birrë në Jalë?! Kjo është për të qeshur e për të qarë, se në mendjen e saj, t’i biesh qylit, t’i marrësh gjërat pa meritë, të shkosh për një ekskursion në Jalë, quhet ambicia më e madhe e një të riu. Kështu që, pyetja ime për ju është: Cila është ambicia? Kap një birrë falas, apo të jesh nesër deputet i ardhshëm, administrator i ardhshëm, kryetar i ardhshëm i Bashkisë?!”, tha ai.

“Partia Socialiste është sot partia e fituesve, - tha Veliaj, - pse duhet të zgjedhim humbësit? Kur unë jam me familjen e fituesve, pse duhet të shkojë dikush me familjen e humbësve, jo vetëm unë, por kushdo tjetër?! Kush është ai, jo vetëm në Zall Herr, Dritas, Qinar, apo në Çekrezë, Kasallë, Melçizë e kudo tjetër, një njeri normal në çdo vend kur e shikon se si disa parti po tkurren, rrudhen, mpaken dhe kur shohin familjen tonë që po rritet dhe po shtohet e po fiton, pse do shkojë me humbësit?!” u shpreh kreu i socialistëve të Qarkut Tiranë.

Kryebashkiaku tha se partitë e tjera flasin me shembuj më qartë sesa me fjalë, duke sjellë në vëmendje vilën e blerë së fundmi në një prej zonave ekskluzive të Tiranës nga djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha; apo vilën e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Gjirin e Lalëzit, në të cilën bashkëshortja e Presidentit të Republikës ka plot 9 tualete.

“Keni halle si Zeni me vila 1 milion e ca euro? Apo keni halle për punësimin, për shkollimin, për të gjithë investimet e tjera? Nëse ka të rinj që nuk kanë hallet e vilës 1 milion euro, por kanë halle të ngjashme me tonat, duhet t’u themi ejani në familjen tone, se jeni më të ngjashëm me ne, sesa me ata. Nëse zonjat e Zall Herrit nuk kanë halle për 9 banjo për 9 macet, por kanë halle për shtëpinë që ua prishi tërmeti, kanë hallet e fëmijëve të tyre si do i avancojë karriera, kanë hallin e ekonomisë së tyre familjare në fshat, atëherë i kanë hallet më të ngjashme me tonat se me të Monës, ndaj kjo është arsyeja pse duhet të vijnë në familjen tonë,” u shpreh Veliaj.