Politikë

Veliaj në Baldushk dhe Petrelë: Mirënjohje për këdo që mbështeti Partinë Socialiste për ta çuar Tiranën përpara

Veliaj në Baldushk dhe Petrelë: Mirënjohje për këdo

Në vijim të turit falenderues në të gjitha njësitë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh mirënjohës për mbështetjen që i dhanë banorët e Baldushkut dhe Petrelës Partisë Socialiste.

“Mund të tregohemi fodullë, se rezultati është aq i madh saqë mund t’i hipë kollaj vetja në qejf kujtdo, por unë besoj se kjo nuk është formula e duhur. Ne e kemi provuar edhe në Farkë, edhe në Petrelë, kur pas fitores jemi kthyer me përulësi dhe u themi njerëzve se këta janë numra për të shërbyer. Ne nuk vijmë këtu si ‘shefa’, ne vijmë si shërbëtorë. Nuk vijmë të krekosur, por vijmë të përulur, që t’i mbarojmë këto punë. Nëse ne kthehemi me përulësi, ju garantoj se Baldushku do na japë gjithmonë e më shumë vota, gjithmonë e më shumë mbështetje, gjithmonë e me shumë përkrahje,” shtoi Veliaj.

Ai tha se edhe pas kësaj fitoreje duhet punuar për atë të radhës, zgjedhjet e vitit 2025.

“Kush punon fushën, kush punon arat, kush rri nëpër kodra dhe male, e di që mund të jetë e vështirë me e ngjit një kodër ose mal, por sa hipën te maja e atij mali, sheh majën e malit tjetër. Kështu që, vërtet për 2023 maja e malit të fitores sonë politike ishte rezultati spektakolar që morëm edhe këtu në Baldushk, por kujdes, çdo majë mali është edhe rrëza e një mali tjetër. Tani që kemi hipur në këtë majë mali, shohim maja të tjera. Dhe maja më e afërt që shohim, të cilën duhet ta ngjsim është maja e fitores sonë për 2025-ën,” deklaroi më tej ai.