Politikë

Veliaj për deklaratën e Metës se do largohet nga presidenca nëse PS fiton zgjedhjet: Një rrugë e dy punë për votuesit

Veliaj për deklaratën e Metës se do largohet nga presidenca

Nga Farka, gjatë vizitës në shtëpitë e re të familjes Koshi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ironizoi kur tha se mirë opozita që ka ikur, por tani po kërcënon edhe Presidenti me largimin e tij. Ai e cilësoi këtë reagim të Presidentit si një sjellje fëminore, ndërsa theksoi se pas kësaj populli e ka më të lehtë të zgjedhë më 25 prill.

“Tani thotë Ilir Meta, do iki unë po s’më votuat! Po ik, kush po të mban me zor, udhë e mbarë! Kjo i bën njerëzit që të votojnë më shumë PS në datë 25 prill. Ky sa u dha një sfidë, edhe ndonjërit që e kishte me dy mendje për ne, se ndoshta ka ndonjë vërejtje thotë: Tani që ikën Ilir Meta do votoj Edi Ramën për kryeministër, një rrugë e dy punë, se votoj këtë, ikën edhe ky tjetri. Si e thua si kërcënim? Ty, ky komb, të ka dhënë privilegjin më të madh, se punë më të madhe se të jesh President i një republike nuk besoj se ka, edhe në Amerikë, edhe këtu. Ky thotë, ika unë po s’ma dhatë lodrën! Sjellja e një kalamani në oborr të lodrave”, theksoi Veliaj.

Sot, një vit nga fatkeqësia e tërmetit të Nëntorit të vitit 2019, dy kurorat e familjes Koshi në Farkë, - Sadetja me bashkëshortin e saj dhe Luani me familjen e tij, - gëzojnë secila nga një shtëpi, falë Programit të Rindërtimit.

*Tiranapost.al.