Politikë

Veliaj për Metën: Partitë serioze janë krenare për emrin dhe për të kaluarën e tyre, nuk mbyllin NIPT-in; është i njëjti dyqan, thjesht me logo të re

Veliaj për Metën: Partitë serioze janë krenare për

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka dhënë një intervistë mëngjesin e sotëm për Bashkim Hoxhën. Mes të tjerash, kryebashkiaku komentoi partinë e re të Ilir Metës.

“Kjo historia që ti punon 30 ditë, si këta që rrinë në Lalëz, dhe kujtohen se tani erdhën zgjedhjet dhe thonë: “Do e shikoni ju në Shtator”. Ou? Po ti ke qenë President i Republikës, pse nuk na i tregove këto gjëra? Dakord, kanë probleme brenda partisë së tyre dhe i kanë partitë si dyqane me numër NIPT-i, pra mbyll bilancin negativ të një NIPT-i dhe hap një tjetër, por është i njëjti dyqan, thjesht i ka vënë një logo të re. Këto janë problemet e partive të dyqanit, kurse partitë serioze janë krenare edhe për emrin e tyre, edhe për të kaluarën e tyre, nuk mbyllin NIPT-in dhe hapin një NIPT të ri sepse nuk kanë paguar TVSH-të. Këta njerëz kanë borxhe, “taksë morale” për t’i paguar publikut shqiptar, dhe në vend që ta paguajnë këtë taksë morale mbyllin qepenin dhe e hapin me një logo tjetër. Është i njëjti dyqan, është i njëjti biznes politik,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se ata që drejtojnë sot dy partitë e opozitës janë më të izoluar se kurrë.

“Mjafton të shikosh aeroportin e Rinasit, qe nuk ka ngelur shqiptar pa udhëtuar dhe pa dalë ndonjëherë nga Shqipëria, dhe kur shikon këta dy personazhe të izolua dhe vijnë si alternativë, është vërtetë një humbje e madhe kohe. Besoj dhe shpresoj se të paktën në fushatë të sjellin disa ide konkrete dhe të shohim kush e bën më mirë këtë punë. Përgjegjësia që unë kam si kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën dhe si i deleguar për qarkun është se jo vetëm në Tiranë, por edhe në Kavajë, Rrogozhinë edhe në Vorë e në Kamëz, të tregojmë me ide dhe me punë konkrete. Pasi të mbarojnë këto muhabetet tona, çfarë ngelet? Ngelen llafet, ngelet kjo fryma e përçarjes, ngelen këto kërcënimet apo ngelet një vepër që ti e ke bërë dhe do të ngelet aty? “Sami Frashëri” do të jetë gjithmonë aty, Liqeni do të jetë gjithmonë aty, Sheshi, Pazari, Kalaja, Astiri aty,” tha kreu i Bashkisë.