Politikë

Veliaj prezanton kandidatin Plarent Ndreca. Në Astir kundërshtarët na vodhën kohën

Veliaj prezanton kandidatin Plarent Ndreca. Në Astir

Nga Lagjja 14, e njohur ndryshe si “Astiri”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi kandidatin për deputet, Plarent Ndreca, numri 20 në listën e Partisë Socialiste për Tiranën. Kandidati Ndreca tha se ai vetë ka ardhur nga Rubiku në Tiranë me studime, ashtu siç kanë ardhur shumë të rinj që jetojnë te “Astiri”, të cilin e cilësoi si një qytet më vete, që të jep plot mundësi.

“Astiri është një qytet mundësish, është mundësi për ju, është mundësi për të bërë gjëra të bukura, është mundësi për të treguar ndryshimin. Ndërsa në Bllok është pak më e vështirë për t’u kuptuar dallimi, këtu në Astir ne e kemi mundësinë për të bërë një dallim së bashku. Nëse nesër unë do jem në parlament, do jem një zë shtesë. Do jem një presion i vazhdueshëm si për pushtetin lokal, por edhe për pushtetin qendror, që ritmet e investimeve të jenë më të forta dhe gjithë investimet që ka filluar bashkia me shkollat që do prodhojnë një reaksion zinxhir”, nënvizoi Ndreca.

Kandidati u premtoi banorëve se “bashkë do bëjmë një histori suksesi si në rezultatin e PS në lagje, por edhe zhvillimin e kësaj zone, e cila do marrë një hov të fortë dhe do kemi një lagje krejt tjetër pas 4 vitesh”.

Ndërsa, kryebashkiaku Veliaj e krahasoi Astirin me një “vezë surprizash”, që gjithmonë sheh një investim të ri, por theksoi se nuk do i falë kurrë kundërshtarët për “kohën e vjedhur”

“Do fillojmë shumë shpejt me 3 shkolla, 2 në një anë të Lanës, 1 në anën tjetër. Herën e fundit që isha, u hap qendra shëndetësore, pastaj nisi vaksinimi. Kolegët e bashkisë po shihnin bulevardin e ri “Migjeni”, ku ne do vëmë edhe qendrat mobile, qendrat e votimit, për t’u siguruar që kemi edhe aty një hapësirë publike ku mund të përdoret për ditën e votimeve. Unë nuk i mbaj mëri njerëzve në përgjithësi, por një gjë që e kam peng kur vjen puna te kundërshtarët tanë, është vjedhja e kohës. 3 vjet u vodh koha me projektin e Unazës së Madhe, e cila është e parikuperueshme”, pohoi Veliaj.

*Tiranapost.al.