Veliaj: Është fyerje për demokratët që u duhet të votojnë listën e rublave të Ilir Metës, këtë poshtërim po ua bën Sali Berisha

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e ka quajtur fyerje dhe poshtërim që po i bëhet demokratëve, të cilët në 14 Maj Sali Berisha po u thotë të votojnë listën e njerëzve të Ilir Metës dhe LSI. Veliaj tha se ajo listë ngjan më shumë me një listë ruse, sesa një listë shqiptare, dhe se këtë poshtërim demokratëve po ua bën Sali Berisha.
“Është fyese që demokratët duhet të votojnë listën e Ilir Metës, i cili provohet çdo ditë që, në fakt, është më shumë lista ruse se sa një listë shqiptare. Është gjithmonë e më shumë një listë që sponsorizohet me rubla. Megjithatë, këtë poshtërim Partisë Demokratike, për të votuar njerëzit e rusëve të Ilir Metës, po ua bën Sali Berisha. Nuk është halli i njerëzve se si këta shqyhen me njëri-tjetrin, dhe përmes këtyre kandidatëve Meta dhe Berisha po mundohen që hallet e tyre t’ia transferojnë Shqipërisë. Shqipëria ka halle boll, Tirana ka halle boll, por Sali Berisha dhe kandidatët e tij nuk duhet të jenë hallet e njerëzve. Janë halle personale, të këtyre personazheve, që duhet t’i zgjidhin. Këta u kujtuan për Tiranën tani që erdhën zgjedhjet. Ju kujtoj se kanë qenë 4 vjet në Gjirin e Lalzit, me këmbët në pishinë, duke pirë kokteile, dhe tani u kujtuan se u duhen vota, jo për të zgjidhur hallet e qytetit, se po të donin kishin ndërtuar një shkollë dhe nuk ndërtuan asnjë. Kur Saliu me Ilir Metën dhe Lulin e me kandidatët e tyre, që ishin drejtorë Bashkie, e drejtonin Bashkinë, e kishin shansin të na tregonin ç’do të bënin. Ata kanë një hall të madh me paratë ruse, me faktin se janë persona non-grata, dhe e dinë fare mirë se një popull perëndimor, sidomos populli i Tiranës, nuk i voton kurrë personat non-grata ose të lidhur me rusët, sado ide fantazmagorike të prodhojnë ata. Unë do merrem me hallet e Tiranës se besoj që kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara,” u shpreh Veliaj në një intervistë për News 24.