Politikë

Video, ja si numërohen votat për Palokën në PD, “Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty...”

Video, ja si numërohen votat për Palokën në PD, “Po

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet në forumet e reja drejtuese që po krijon në mënyrë të njëanshme Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike u quajt si më transparenti në historinë e ndonjë partie, por transparenca duket se ka zbuluar “pa dashje” edhe si zgjidhen në të vërtetë përfaqësuesit e kësaj force politike.

Trasmetimi live i numërimit të votave për kryetarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i cili u zgjodh Edi Paloka, ka shfaqur një detaj skandaloz të mënyrës se si zhvillohen këto zgjedhje në të vërtetë dhe si plotësohen procesverbalet që bëhen publike më pas.

Teksa po numëroheshin votat me të cilat u shpall më pas Edi Paloka në postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar, dëgjohet edhe një bisedë mes anëtarëve të Komisionit në momentin kur po kryhet plotësimi i procesverbalit.

Numëruesit duket se janë të paqartë në lidhje me numrin e anëtarëve të cilët kanë marrë pjesë në procesin e votimit.

“Fletë votimi gjithsej 211”, thotë një anëtar.

“Jo jo – thotë anëtari tjetër - kanë qenë më shumë, futja 300”

“Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj”, dëgjohen të thonë ata.

Ndërsa sipas procesverbalit të plotë të shpërndarë nga PD, nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, prezentë ishin 203 anëtarë.

Njoftimi i plotë i PD-së:

Partia Demokratike për herë të parë publikon në transparencë të plotë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, diskutimet dhe procesin e votimit dhe numërimit për Kryetar të Këshillit Kombëtar.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zgjodhi Kryetarin e saj, Edi Paloka, i cili garoi përballë kandidates Eleina Qirici.

Anëtarët e Këshillit në nisje të punimeve firmosën prezencën e tyre manualisht dhe në memorien digjitale.

Nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, punimet nisën me 203 anëtarë prezent, numër shumë më i lartë se kuorumi i nevojshëm.

Në një proçes tërësisht transparent, votuan 211 anëtarë të Këshillit Kombëtar.

Në bazë të rezultateve të votimit, Edi Paloka mori 132 vota kurse kandidatja Eleina Qirici 79 vota.

Në fund të procesit, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale publikon procesverbalin e rezultateve të votimit.