Vulin kërkoi aleancë antishqiptare me Greqinë! Ministria e Jashtme thërret për sqarim ambasadorin serb
Ministria e Jashtme ka thirrur në takim ambasadorin serb në Tiranë, ku i janë kërkuar sqarime për deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin.
Dy ditë më parë, Vulin kërkoi nga Greqia që të krijojnë një aleancë anti-shqiptare, pas vizitës së kryeministrit Rama në Athinë.
“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”, tha Vulin.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme: Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukčević është thirrur dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv. Kryeministri Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.
Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.
MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian