Politikë

Yuri Kim: Grupet e armatosura për mbrojtjen e votës nuk kanë vend në një shtet anëtar të NATO-s dhe aspirant për në BE

Yuri Kim: Grupet e armatosura për mbrojtjen e votës nuk kanë vend

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, Ambasadori i BE Luigi Soreca dhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku kanë diskutuar për zgjedhjet e 25 Prillit dhe masat e marra për të garantuar sigurinë e procesit.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, në deklaratën e saj mediatike pas takimit, është shprehur se grupet e armatosura për mbrojtjen e votës i takojnë së shkuarës dhe nuk kanë vend në një shtet anëtar të NATO-s dhe aspirant për integrim në BE. Ajo e ka mbyllur deklaratën e saj me thirrjen në shqip: “Ne jemi me ju!”

“Disa gjëra duhet t’i lini në të shkuarën. Grupe të armatosura për të mbrojtur votën i takojnë së shkuarës dhe nuk kanë vend në një anëtar të NATO-s dhe një vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Është përgjegjësia e liderëve të jenë të përgjegjshëm dhe të sigurojnë qetësinë dhe jo dhunën ose frikën. Po monitorojmë të gjitha veprimet që po bëjnë liderët dhe falenderoj kryeministrin Rama dhe kreu e opozitës Basha që i kanë bërë thirrje njerëzve të ruajnë qetësinë dhe të mbrohet integriteti i zgjedhjeve. Teksa ju shkoni të votoni (e thotë në shqip) Ne jemi me ju!”- ka thënë ambasadorja Yuri Kim.

tiranapost.al