Politikë

Zbardhet letra e opozitës për maxhorancën: Po bllokoni zgjedhoren, të mblidhemi të dielën ose…

Zbardhet letra e opozitës për maxhorancën: Po bllokoni

Në letrën që mban firmën e dy anëtarëve të opozitës në Grupin e Punës të Këshillit Politik për sistemin zgjedhor, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili hidhen akuza se maxhoranca po bllokon reformën zgjedhore.

Sipas opozitës:  ‘Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite’.

Ata kërkojnë që ditën e diel ose të ditën e hënë, të mblidhet Grupi  i Punës së Këshillit Politik, për të vijuar aty ku pandemia e ndaloi.

Propozimi i tyre mban këtë rend dite:

1. Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
2. Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
3. Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik.

Sot u mbajt mbledhja e parë online e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërsa bashkëpunimi me opozitën jashtëparalmentare u vu në pikëpyetje.  

Në përfundim të mbledhjes, bashkëkryetari Damian Gjiknuri tha se deklarata e opozitës jashtëparlamentare janë kontradiktore dhe nuk e ka të qartë nëse do të vijojë bashkëpunimin apo jo. Pavarësisht kësaj, Gjiknuri tha se kjo reformë do të miratohet në Kuvend me votat e mazhorancës dhe të opozitës së re. Të njëjtin mendim ndau  edhe bashkëkryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari.

Kërkesë për mbledhjen e Grupit të Punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore ( E plotë).

Drejtuar: Z. Damian Gjiknuri
Znj. Rudina Hajdari

Adresa: Kuvendi i Shqipërisë,
Bul. “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë

Z. Gjiknuri,
Znj. Hajdari,

Në media jemi njohur me nisjen nga ana juaj të një debati pa sens praktik dhe logjik, duke vënë kështu në dyshim vijimin e punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Opozita ka qenë dhe mbetet e angazhuar për përmbushjen e këtij kushti për hapjen e negociatave me BE dhe për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit europian si prioritet kombëtar.

Që nga krjimi i Këshillit Politik, opozita ka qenë e angazhuar në mënyrë konstruktive në Tryezën e Punës, duke bërë propozime dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e evidentuara ndër vite nga Misionet Vëzhguese të OSBE/ODIHR.

Puna në Këshill, sikurse jeni në dijeni, u ndërpre për shkak të emergjencës shëndetësore të krijuar nga epidemia e COVID-19. Nga momenti i ndërprerjes për këtë shkak, nuk ka patur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj.

Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim.

Bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e Qeverisë. Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite.

Ashtu sikurse është e paprecedentë që ne ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga ana juaj për propozimet e bëra nga ana jonë në mbledhjet e Këshillit Politik për gati 2 muaj.

Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga ana juaj për propozimet tona, duke qenë se ne mbetemi të angazhuar, jo për fjalë apo debate pa vlerë, por për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore, duke siguruar implementimin e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për standardet demokratike të zgjedhjeve:

KËRKOJMË NGA ANA JUAJ:
Konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite:

1. Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
2. Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
3. Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik.

Mbledhja të zhvillohet në kushtet e sigurisë të diktuara nga epidemia e COVID-19, duke respektuar të gjitha kërkesat e autoriteteve shëndetësore që garantojnë jetën dhe shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

Mbetemi në pritje të konfirmimit nga ana juaj!
PËRFAQËSUESIT E OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK:
OERD BYLYKBASHI PETRIT VASILI