Qyteti

Prezantohen katër finalistët për logon e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet: Fituesi do të përzgjidhet nga publiku në rrjetet sociale

Prezantohen katër finalistët për logon e 100-vjetorit të

Për 100-vjetorin e shpalljes si Kryeqytet i Shqipërisë, Tirana do të ketë logon e saj. Pas përzgjedhjes fillestare mes mbi 50 aplikimesh, ishin 4 logot finaliste që u prezantuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ndërkaq, fituesi do të zgjidhet nga publiku, në mënyrë transparente, përmes votës në rrjetet sociale. Për këtë arsye, Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë logon që iu pëlqen më shumë, pasi ajo do do të shenjojë edhe vitin festiv të 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet.

“Me një thirrje patëm mbi 50 aplikime, ishte realisht mbresëlënëse. Megjithatë, kemi mbërritur në 4 finalistë. Disa janë emra shumë të njohur, por disa i shoh për herë të parë, ndaj menduam se mënyra më demokratike për të bërë përzgjedhjen e fundit është ta hedhim në votim publik në rrjetet tona sociale (Tëitter, Instagram, Facebook)”, tha ai. Veliaj shtoi se përgjatë gjithë vitit do të ketë një sërë aktivitetesh, jo vetëm kulturore dhe artistike, por edhe të prezantimit të shumë projekteve, të cilat do të projektojnë Tiranën e 100 viteve të ardhshme.

“Këtë vit planifikojmë të kemi mbi 100 aktivitete për ditëlindjen e 100-të të Tiranës Kryeqytet. Qytetet jetojnë në përjetësi dhe duam të planifikojmë jo vetëm logon e këtij viti, por edhe të projektojmë si do të jetë Tirana e 100 viteve të ardhshme”, tha Veliaj, duke shtuar se ky vit është edhe një mundësi për të promovuar edhe më shumë Tiranën dhe fuqizuar turizmin. “Do të shfrytëzojmë faktin që Tirana bën 100 vjet Kryeqytet dhe do të bëjmë një promovim të saj nëpër botë; do të kemi edhe një fushatë paralele, kryesisht në të gjitha qytetet prej nga fluturohet në Tiranë, për të punuar edhe me turizmin e llojit ‘city-break’, pra për pushime 2-3 ditore, për të cilin Tirana ka ndërtuar një reputacion të mirë”, vijoi ai.

Kryebashkiaku theksoi se pas një viti jo të lehtë, 2020 është edhe një mundësi e re. Në këtë vazhdë, Veliaj tha se me rastin e 100-vjetorit, Bashkia e Tiranës do të projektojë edhe godinën e saj të re, ku të gjitha shërbimet do të mblidhen në një godinë dhe qytetarët nuk do të duhet të humbasin më kohë. “Do të shpallim një konkurs tjetër për Bashkinë e re të Tiranës. Duam që selinë tonë të re ta kemi në Bulevardin e Ri, sigurisht duke ruajtur selinë ceremoniale në qendër të Tiranës për pritjet dhe përcjelljet e delegacioneve të ndryshme. Ama, ndërtesa e re duam të jetë një ndërtesë që nuk ndot, që emeton 0 karbon. Duam të jemi ndërtesa e parë në Shqipëri me 0 ndotje dhe 0 emetime gazrash në qytet. Shumë njerëz nuk e dinë që Bashkia e Tiranës ka 100 zyra në qytet. Është një harxhim kohe, energjish, njerëz që duhet të shkojnë nga një vend te tjetri, ndaj duam të kemi një ndërtesë moderne për të gjithë administratën e Bashkisë”, tha ai.

Ndërtimi i godinës së re të bashkisë në Bulevardin e Ri do të orientojë edhe zhvillimin e Tiranës drejt veriut. “Tirana këto 100 vite u zhvillua nga jugu. Por, duam që në 100 vitet e tjera ta balancojmë drejt veriut, aty ku është Lumi i Tiranës dhe ku përballë kemi Kamzën. Kemi bërë projektin e lumit, Bulevardin e Ri, fillojmë tani edhe ndërtimet në Bulevardin e Ri, kryesisht hotele, banka, kompani siguracionesh; pra, do jetë një hapësirë për financë-teknologji”, theksoi Veliaj.

Logoja fituese do të shpallet brenda kësaj jave, për të nisur më pas edhe serinë e aktiviteteve festive që do të mbahen për 100-vjetorin e Tiranës Kryeqytet.