
Prej vitit 2013, Shqipëria është shtëpia e një prej grupeve kryesore të opozitës në Iran, Muxhahedinë-e-Khalq, ose MEK, që është grupi kryesor opozitar ndaj regjimit të Iranit. Pikërisht për strehimin e rreth 3 mijë muxhahedinëve, vendi ynë u kërcënua sot nga udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei, i cili nuk përmendi emër por e konsideroi Shqipërinë kështu:
“Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë i mbrapshtë ka bërë komplot me SHBA dhe tradhtarët e MEK kundër Iranit".
Në korrik të 2019-s, në afërsi të Manzës 30 km larg Tiranës u inaugurua kampi Ashraf 3, i cilësuar si një ‘qytet’ i krijuar për muxhahedinët.
Por si erdhën muxhahedinët në Shqipëri?
MEK, i njohur si organizatë me radikalë islamistë-marksistë, luftoi në anën e Saddam Huseinit kundër atdheut të tyre. Në vitin 2003, pushtimi aleat i Irakut u kthye në rrezik për jetët e anëtarëve të MEK. Mbrojtësi i organizatës, Saddam Hussein, papritmas nuk ishte më dhe muxhahedinët u sulmuan vazhdimisht, qindra u vranë dhe u plagosën. Nga frika e një fatkeqësie edhe më të rëndë humanitare, amerikanët iu afruan qeverisë shqiptare në 2013 dhe e bindën atë të strehojë rreth 3 000 anëtarë të MEK në Tiranë.
Disa nga muxhahedinët ishin strehuar fillimisht në apartamente në periferi të kryeqytetit, ndërsa kontrolli i organizatës mbi anëtarët e tij ishte më i lirshëm seç kishte qenë më parë.
“Në fund të vitit 2017, MEK u zhvendos në vendstrehimin e ri. Kampi është ndërtuar pranë një kodre rreth 30 km (19 milje) nga kryeqyteti Tiranë, ku ndodhej edhe një memorial kushtuar mijëra njerëzve që kanë humbur jetën në luftën e MEK kundër qeverisë iraniane”, shkruante BBC në një artikull të 2019-s për qytetin e ri të muxhahedinëve.
Në inaugurimin e ‘qytetit’ të muxhahedinëve dhe eventin e quajtur “Irani i lirë”, morën pjesë mijëra persona, politikanë nga e gjithë bota, shqiptarë me ndikim dhe njerëz nga fshati i afërt i Manzës.
Deklarata e Iranit para 2 vitesh për muxhahedinët
Në vitin 2017, zv/ministri i Jashtëm për Europën dhe Amerikën i Iranit, Majid Takht Ravanchi, dha alarmin se muxhahedinët që janë strehuar në Shqipëri kanë kryer krime. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, Ravanchi u shpreh se ata janë një kërcënim për vendin e tyre dhe të tillë janë edhe për Shqipërinë.
“Terrorizmi nuk duhet të tolerohet nga asnjë vend. Terrorizmi është kërcënim, është një rrezik jo vetëm për një apo dy vende. Ai është kërcënim për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Ky fakt duhet kuptuar nga të gjithë. Së dyti, ne nuk njohim terroristë të mirë apo të këqij. Kështu që, kushdo që merret me këta njerëz, duhet të njohin faktin se ata kanë kryer kaq shumë krime dhe se urrehen nga iranianët. Kjo është diçka që duhet mbajtur mend nga të gjithë ata njerëz që janë në kontakt me këtë grup”, tha ai.
Pikëpamjet e muxhahedinëve
Pas revolucionit të vitit 1979 ata vazhduan të avokojnë për liri dhe demokraci dhe kundërshtuan diktaturën e re në emër të Islamit. Muxhahedinët iranianë besojnë se Islami i vërtetë është feja e paqes dhe dhembshurisë. Organizata respekton liritë individuale dhe e konsideron të drejtën për të votuar si treguesin e vetëm të legjitimitetit politik. Muxhahedinët iranianë besojnë se demokracia dhe liria janë shenjat dhe garantuesit e progresit të vërtetë shoqëror./ Tiranapost.al
Lideri suprem i Iranit për Shqipërinë: Një vend i vogël europian dhe i mbrapshtë që strehoi tradhtarët