Sa nje kafe nga Iva

Puna që (s)fisnikëron njeriun

Alarmi i zgjimit tringëllin. Mamin ku ta ketë! Ka ndërhyrë në mes të asaj ëndrrës së ëmbël, ku ti je në një pasdite maji dhe ke një ndjesi sikur gjithë bota është e jotja dhe pastaj befas gjendesh në një dhomë ende të errët teksa të duket ende sikur ndjen aromën ku ishe zhytur pak sekonda më parë.

Të vjen natyrshëm të shtypësh butonin snooze. Por e di që është e kotë (te pasditja e majit s’ke asnjë shans të kthehesh, maksimumi i ëndrrës, që mund të shohësh në ato dhjetë minuta, është një gjendje prej të lodhure e të pagjume). Vendimi më i drejtë është të shkosh direkt në kuzhinë, tek kafja (para saj ama duhet t’i bësh derman maces që fillon e fërkohet nëpër këmbë dhe nuk pushon së mjaullituri derisa t’i mbushësh tasat me ushqim). Në fund kafja, me një, me dy me tre (booooll tani) lugë plot.

Më shumë se 10 minuta sa për t’u larë e veshur nuk ke, sepse duhet të nisesh urgjent (epo edhe më me nge ta kesh, tualet në makinë do ta bësh, se edhe drita bie më mirë).

Del në trafik – nuk ke pasur kohë të çlodhesh natën dhe ja ku je e nxehur që në pikë të mëngjesit. Një tip ka parkuar pas teje e të ka bllokuar dhe pasi zgjon gjithë lagjen me bori e ha mallkimet e dynjasë, ai shfaqet me një pamje të përgjumur në ballkon e të thotë “Sorry lal, të vonova?!”. Pastaj rrugicën e ka zënë një derr furgoni që furnizon dyqanin e shkallës me çumçakiz (me parë ka qenë ai i qumështit, gjatë ditës do vijnë me radhë kosi, gjiza, marmalata, birra, patatinat, buka… apo s’ka dyqane në çdo shkallë dhe të gjithë furnizohen në vende të ndryshëm, pra kemi larmi furgonash). Pastaj del në rrugë dhe fillojnë makinat e parkuara pak para kthesës, një debile te makinë përpara që lyhet në trafik dhe jo në semafor si gjithë ne të tjerat e kështu me radhë… Rruga deri në punë është një odise e vërtetë që zgjat, ama ke kohë që në gjithë semaforët rrugës të vësh pudër e krepudër, dritëhije e rimel, penel e buzëkuq, shkëlqyes buzësh e shkëlqyes thonjsh…

Më në fund në zyrë… Shefi ende nuk ka ardhur, ndaj mbaron punë shpejt e shpejt punët e mëngjesit (domethënë lexoj horoskopin tim, atë të zemrës sime, pastaj një grafik se si është energjia gjatë javës, sa do kombinohemi ne si çift gjatë javës dhe i hedh një sy shenjës së ishit, sa për të parë se sa keq ka përfunduar ai). Kur mendon të hapësh dhe horoskopin kinez, mbërrin shefi. Duket që i ka nervat tel, ndaj është më mirë t’i përvishesh punës e të mos ngresh kokë.

Në orën 2 më në fund ora e lirisë, pushimi i drekës. Që të mos përfundosh me sanduiç në dorë, të duket zgjidhje e mirë të drekosh me atë kolegen e e zyrës tek një restorant i vogël aty afër, ku gjysmën e kohës e kalon duke pritur kamarierin të marrë porosinë dhe pastaj të sjellë faturën, kurse pjesën tjetër duke ngrënë rizoton e nxehtë e duke menduar se sa mirë do ndiheshe t’ia vërtisje surratit asaj që ke përballë, që përfiton nga fakti, që meqë jeni shoqe zyre mund të të japë këshilla se si t’ia mbushësh mendjen të dashurit që të martoheni (normal që nuk mund të përfitosh dhe ti rasti që t’i thuash që burrin e saj s’do doje ta kisha as në lagje e jo më në një shtëpi, por pendohesh thellësisht që nuk zgjodhe sanduiçin).

Kthimi në zyrë duket gjëja më e bukur në botë. Shefi vijon të sjellë projekte, praktika, shënime, të kthejë mbrapsht shkresa, pastaj nja tre mbledhje njëra pas tjetrës. Diku mes dy mbledhjesh gjendet koha për të marrë një kafe tek distributori automatik. Meqë sytë rëndojnë plumb, pi dy, pastaj tre. Kështu dhe zemrën e dëmton më kollaj.

Pasditja nuk ka fund. Ora shkon shtatë dhe sekretarja e zyrës dhe asistentja e shefit bëjnë llaka-llaka me zë të lartë se ku do e kalojnë darkën. Vazhdon vuajta para ekranit!

Nja 45 minuta më vonë liridalje. Del si e liruar nga zinxhirët por rrugën e makinës ta ka zënë një tjetër makinë. Nis beteja me bori, ngre lagjen në këmbë, ha të sharat e mallkimet nga ballkonet, por nuk ke si ndalesh, derisa ai që ka parkuar aty del rëndë rëndë nga një dyqan dhe thotë “avash lale, se e prishe makinën”. Zinxhiri i trashë i floririt që ka në qafë të këshillon ta qepësh, thua vetëm “e hap çik rrugën po deshe?”. “Okej grupo”, thotë, dhe nisesh me nxitim derisa të bllokon një furgon, që po furnizon një dyqan të vogël me ku-dreqin- e-di- se-çfarë…

Prapë në trafik. Për nja një orë të mirë. Kohë e mjaftueshme për të medituar. Gjëra të tipit ç’do hash në shtëpi. Palestër po kuptohet që s’ka, siç nuk kishte dhe dje kur dita ishte po kaq e ngarkuar…

Përpara se të ushqehesh, është prapë macja – edhe pse po plas nga shëndeti do vetëm të hajë, vetëm mjaullin derisa të të shohë që merresh me të. Aty të vjen ndër mend që prapë ke harruar të blesh rërën, ku ajo kryen nevojat dhe asaj i është bërë zakon të përshtasë për këtë punë atë vazon e lules së Krishtlindjeve, që e ka sjellë mami dhe që e ke nxjerrë në ballkon për më mirë, por që u tha për dy ditë (nuk di se pse, por në këtë shtëpi asgjë e gjelbër nuk zgjat më shumë se një ditë, edhe majdanozi në frigorifer bëhet ngjyrë kafe brenda ditës).

Nis të mendosh për të nesërmen… Nuk do kesh kohë as për të ngrënë drekë, shefi paralajmëroi një mbledhje të gjatë fiks në orën e drekës. Pra sanduiçi është i sigurt. Nervat e ngritura po ashtu. Dhe kanë thënë: punë-punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë. E përfytyron atë që e ka thënë: Rehat, rehat në shtëpinë e vet, me një pendë pate në dorë e një fletë përpara, pa celular me alarm, makinë e furgona në lagje e shefa në zyrë. Ajo e tija po që ishte jetë, ajo ishte punë, ohoho! Jo kjo e jona.