40% më shumë garues në Maratonën 2023/Veliaj: Tirana sot ndihet si çdo metropol tjetër europian
Është përmbyllur edhe këtë vit, për të shtatin edicion radhazi, Maratona e Tiranës e cila këtë herë pati një rritje me 40% të garuesve, krahasuar me një vit më parë. Këtë vit Maratona e Tiranës mirëpriti më shumë se 4700 pjesëmarrës, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga 47 vende të ndryshme të botës, të cilët morën pjesë në disa kategori, 10 km, 21 km, si dhe maratona e plotë 42 km, ndërkohë që në garë u bashkuan edhe kategori si We Too, me 22 garues, që u nisën nga sheshi “Skënderbej” për të përshkruar 2.3 km.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ndarjen e çmimeve të fituesve të kësaj maratone, ku Kenia që për herë të parë u përfaqësua këtë vit në Maratonën e Tiranës, rrëmbeu 3 çmimet e para, u shpreh se Tirana, me evente të këtyre përmasave me pjesëmarrjeve të dhjetëra kombësive, ndihet sot si çdo metropol tjetër europian.
“Ishte fantastike, një ndjesi e jashtëzakonshme! Kemi pasur pjesëmarrjen më të lartë edhe ndërkombëtarisht, 47 vende. Kur mendon që Ukraina dhe Izraeli janë në luftë dhe ne kemi pasur vrapues edhe nga këto dy vende, kjo është një kartolinë e jashtëzakonshme për Tiranën dhe besoj që është “qershia mbi tortë” e një viti ku Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, ndaj jam vërtet krenar. Sigurisht që jam krenar për Luizën edhe për kenianët dhe për të gjithë ata që kanë thyer rekorde, por unë mbi të gjitha jam shumë i lumtur që në këtë vit sporti kemi pasur djem dhe vajza pa fund që janë regjistruar në kurset sportive dhe merren me jetë aktive. Sot Tirana është dukur siç çdo qytet europian. Sot edhe në Amsterdam dhe në Lisbonë është mbajtur maratona dhe fakti që sot Tirana ndihet si çdo qytet tjetër në Europë është diçka e jashtëzakonshme,” u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë tha se edhe sa i përket organizimit, gjithçka ishte në të njëjtat standarde europiane të kompeticioneve të tilla. “Këtë vit kishte më shumë pika uji, më shumë pika argëtimi. Beteja nuk është vetëm me muskujt, është edhe betejë mendore, kështu që çdo tifoz i ri, çdo argëtim të inkurajon të ecësh më tej. Kemi pasur një bashkëpunim fantastik dhe me Federatën e Atletikës, me të gjithë skuadrën e gjyqtarëve. Edhe kur mendoj që edhe në maratona si në New York, Berlin, Boston bëjnë hile, fakti që nuk ka asnjë hile, fakti që çdo gjë është e kronometruar, fakti që çdo gjë është e digjitalizuar, fakti që humbet vetëm një portofol dhe gjendet për 7 minuta tek i zoti, vërtet më bën të ndjehem shumë krenar për Tiranën dhe për atë që është bërë ky qytet. Është pjesë e një stofi shumë europian,” tha më tej ai.
Veliaj po ashtu falënderoi qytetarët që iu bashkuan thirrjes së Bashkisë për të lënë të lira arteriet kryesore të Tiranës për vrapuesit e maratonës. “Dua të falënderoj, jo vetëm ata që morën pjesë, por dua të falënderoj shumë edhe ata që nuk morën pjesë, sepse duke qëndruar në shtëpi, duke mos e nxjerrë makinën në një farë mënyre na kanë ndihmuar. Dhe fakti që qyteti është emancipuar dhe ngjarje të tilla, si, Samiti Europian, Samiti i Berlinit, apo Maratona ndodhin pa dramë në qytet dhe njerëzit e kuptojnë që qytetin do t’ua japim vrapuesve, atletëve, sportistëve është e jashtëzakonshme” deklaroi më tej kreu i Bashkisë.
Për Luiza Gegën, kampionen që këtë herë mori pjesë në half maratonë, ku fitoi dhe çmimin e parë, ky vit ishte po ashtu një tjetër emocion. “Gjithmonë kam shumë emocion, sidomos kur garoj në vendin tim sepse ka një tifozllëk gjatë rrugës dhe mundohem t’i përshëndes ata që ulërasin për mua, aq më tepër që kam një përgjegjësi që vërtet dua t’i gëzoj me pjesëmarrjen time. Jam shumë e lumtur se do dal përsëri te ndërkombëtarët. Ka qenë një superorganizim dhe jam shumë e lumtur që gjithnjë e më shumë maratona po bëhet gjithnjë e më e madhe. Kjo vërtet që më lumturon jashtë mase,” u shpreh Luiza Gega.
Maratona është eventi më i madh sportiv në Tiranë, i organizuar për vitin e shtatë radhazi në 22 tetor 2023.