Qyteti

Akademia e Kodimit, Veliaj: Lagjet e reja hapësira për industritë kreative, bursa për grupet në nevojë

Akademia e Kodimit, Veliaj: Lagjet e reja hapësira për industritë

Në ambientet e Tech Space në Tiranë është çelur sot zyrtarisht Akademia e Kodimit nga Protik, e cila u mundëson të rinjve që të trajnohen me modelet më të mira të programimit në teknologji dhe të jenë gati për tregun më dinamik dhe të mirëpaguar të punës. Përmes kësaj akademie, të rinjtë mund të marrin e të perfeksionojnë aftësitë e tyre në Code & Go, zhvillim programesh dhe Web & GO zhvillim ueb.

Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në Tiranë po krijohet një ekosistem ku të rinjtë dhe të rejat të përgatiten për sfidat e tyre të ardhshme.

“Dje peruruam hapjen e qendres TUMO dhe duket që në Tiranë po krijohet një ekosistem në fushën e teknologjisë. Do të japim bursa për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti. Po ashtu, kemi planifikuar një hapësirë edhe në lagjet e reja si në Kombinat apo zona te “5 Maji”, për industritë kreative, që lidhen me artet, dizajn, fashion etj”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se për të mbështetur grupet e disavantazhuara do të ketë bursa të posaçme.

Akademia e Kodimit sjell mundësinë që të rinjtë të trajnohen me modelet më të mira të programimit në teknologji dhe të jenë gati për tregun më dinamik dhe të mirëpaguar të punës.  Coding Academy, siguron një certifikatë që njihet nga shteti francez dhe jep akses pune kudo, pasi përgatit profesionistë të pavarur. Certifikata njihet nga bizneset në gjithë Europën.