Qyteti

Aktori i 'Breaking Bad' merr çelësin e Tiranës

Aktori i 'Breaking Bad' merr çelësin e Tiranës

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Aktivizmit, e cila u organizua si pjesë e Javës Amerikane, në Tiranë ka mbërritur aktori i njohur i serialit të famshëm “Breaking Bad”, Roy Frank Mitte. Aktori amerikan, njëherësh dhe aktivist i të drejtave të njeriut, u prit edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me të cilin ndau historinë e tij frymëzuese të tejkalimit të stigmës dhe bullizmit për të arritur qëllimet e tij dhe për t'u bërë një mbrojtës i të drejtave të njerëzve me aftësi ndryshe.

“Jam vërtet i impresionuar nga mënyra se si dikush që ka pasur vështirësi me aftësi speciale ia ka arritur, jo duke bërë ndryshim drastik, jo duke rikuperuar brenda natës, por duke punuar përditë me hapa të vegjël, për të treguar që ndryshimi është i mundur dhe që ndonjëherë ti ndryshimin nuk e sheh kur merresh përditë me kauza të ndryshme, por kur i bën një ‘zoom out’ dhe kupton se si çdo ditë është punuar, qoftë në jetën personale të dikujt, qoftë në aftësinë personale të dikujt, por edhe në mënyrën si dikush impakton me filantropi, me ndikimin që ka në jetën e njerëzve të tjerë. Duke qenë se të konsiderojmë një agjent të ndryshimit, përveçse një aktor të madh për ne, është një nder që të japim një ‘Çelës të Qytetit’. Shpresoj shumë që ta konsiderosh Tiranën një derë të hapur, një shtëpi të dytë, ku ti mund të kthehesh përsëri,” u shpreh Veliaj.

Aktori i 'Breaking Bad' merr çelësin e Tiranës

Aktori i mirënjohur e falënderoi kreyebashkiakun teksa tha se për Shqipërinë ka dëgjuar mjaft gjëra pozitive. “Dua vërtet t’i them faleminderit ambasadës dhe ekipit tuaj zoti kryebashkiak, si dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë. Ky është një vend shumë special, për të cilin kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme prej një kohe shumë të gjatë. Dhe të më jepnit mundësinë të vija të takoja qytetarët tuaj dhe të rinjtë tuaj, si edhe dëshirën e tyre për t’u zhvilluar, është një shenjë e asaj që keni ndërtuar këtu dhe shoh një të ardhme shumë të ndritur për Tiranën dhe për Shqipërinë. Dhe ju vërtet më nderuat me këtë dhuratë! Faleminderit!” u shpreh Roy Frank Mitte.

Dita Kombëtare e Aktivizmit është një aktivitet vjetor i organizuar nga Co-PLAN dhe Ambasada e SHBA dhe u organizua në Tiranë si pjesë e Javës Amerikane të këtij viti.