Qyteti

Asfaltohet rruga “Kristo Dako” në Njësinë 3

Asfaltohet rruga “Kristo Dako” në Njësinë 3

Rruga “Kristo Dako” në Njësinë 3 është segmenti i radhës që po rikonstruktohet në Tiranë. Në një inspektim gjatë mbrëmjes së djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi faktin se rruga i vjen në ndihmë edhe prindërve që çojnë fëmijët e tyre çdo ditë në Çerdhen 56. Gjithashtu, sipas tij, prej investimeve banorëve u rritet vlera e pronës.

“Parimi është që çdo natë të kemi nga një punë të tillë, pa i shqetësuar banorët, ndaj kemi zgjedhur të punojmë në këtë orë sepse ka më pak lëvizje. Kur banorët zgjohen në mëngjes, kanë edhe një rrugë të re. Unë besoj se përveç banorëve të kësaj rruge, përfitojnë edhe familjet që dërgojnë fëmijët e tyre në “Çerdhen 56”, pasi ka një akses më të mirë. Sigurisht, gjithë komunitetit përreth i rritet edhe vlera e pronës,” u shpreh Veliaj.

Asfaltohet rruga “Kristo Dako” në Njësinë 3

Kryebashkiaku vlerësoi se pas ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore është e nevojshme që të ndërhyhet në fasadat e pallateve për të rritur efiçencën energjetike.

“Në këtë zonë ka pallate të vjetra, të ndërtuara në vitet e vështira. Megjithatë, unë besoj se kur fillon rruga, fillon infrastruktura, çerdhja, kopshti, shkolla, rritet vlera e zonës. Ajo që duhet të bëjmë është që, me të njëjtën cilësi që kemi punimet këtu, hapi tjetër duhet të jetë veshja me kapotë të fasadave të pallateve. Ndoshta janë pallate të vjetra me pak banorë, megjithatë trajtimi duhet të jetë njësoj, si në qendër, edhe në periferi. Kështu që, në pamundësi për të pasur një administrator për çdo pallat dhe çdo shkallë, ndoshta mund ta bëjmë si grup pallatesh. Në momentin që vishen me kapotë, kursejnë energjinë në ditë të ftohta si kjo dhe ulet fatura ndjeshëm për banorët,” tha ai.

Asfaltohet rruga “Kristo Dako” në Njësinë 3

Më tej, Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës nuk do të ndalet pavarësisht sulmeve që bëhen për fushatë, si ai i fundit në rrugën “Xhon Belushi”.

“Kur ka investime që nuk presin, siç qytetarët bënë me rr. “Xhon Belushi”, na sillni një njoftim dhe thoni: “Kjo është një rrugë që nuk pret, sepse është hapur kantieri i ujësjellësit, ka mbaruar gjithë investimi dhe ne nuk mund ta lëmë këtu derisa të mbarojnë procedurat e Bashkisë”. Më pas, futemi e bëjmë vetë. Nuk dua të ndalojë ritmi, sepse siç thotë ajo shprehja: “Kur vjen cirku në fshat, dalin gjithë kllounët ta përshëndesin”. Unë e kuptoj, vjen fushata, lloj-lloj kllouni do dalë dhe do bëhet faktor, por ata le të vazhdojnë ekskursionet e tyre nga një kantier te tjetri, ne duhet të bëjmë punën dhe të marrim bekimet dhe uratën e njerëzve,” theksoi kryebashkiaku.

Në vijim të komunikimit të tij, Veliaj shtoi se qytetarët janë avokatët më të mirë të punëve të Bashkisë. “Ai që jeton në televizor nuk ka lidhje me realitetin. Ndërkohë, ai që jeton në lagje, ai thotë: “Prit pak, m’u rregullua rruga? M’u shtua vlera e pronës? Është më pastër? Nuk më prek këmba baltë? Fëmija shkon i qetë dhe i rregullt në kopësht dhe në çerdhe?”. Ne punojmë për këta, jo për ata të banaqeve. Ata të banaqeve, kur vjen dita e zgjedhjeve, janë të gjithë në Dhërmi. Kurse këta njerëz këtu janë me ne dhe në ditë të vështira, edhe në tërmet, edhe në pandemi dhe na japin mbështetje për punët dhe veprat që bëhen”, përfundoi Veliaj.