Qyteti

Brenda vitit shtëpitë individuale, hapet gara për pallatet e reja tek “5 Maji” dhe në Kombinat

Brenda vitit shtëpitë individuale, hapet gara për pallatet e reja

Brenda vitit, të gjithë banesat individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të jenë rindërtuar. Duke folur nga zyra e tij pas fitimit të betejës me COVID-19, Kryebashkiaku Veliaj dha lajmin për familjet e prekura nga tërmeti.

Ai theksoi se sapo është hapur gara dhe për infrastrukturën dhe për pallatet e reja në dy lagjet kryesore, lagjia “5 Maji” pranë Bregut të Lumit dhe në Kombinat.

“Më vjen mirë që puna ka vazhduar në Bashki. Ne sot kemi më shumë se gjysmën e shtëpive individuale në fshat nga tërmeti që kanë filluar punën, gjysma tjetër do të fillojë këtë periudhë të mbetur të gushtit dhe të shtatorit dhe ne do të sigurohemi që brenda vitit të ri, brenda datës 31 dhjetor të gjithë ata që kanë shtëpi individuale, sidomos në zonat rurale do të futen në një shtëpi të re. Ndërkohë që sapo kemi hapur garën për infrastrukturën dhe për pallatet e reja në dy lagjet kryesore, lagjia “5 Maji” pranë Bregut të Lumit, ku një pjesë e madhe e apartamenteve të tërmetit sidomos për atë pjesë të Tiranës do të ndërtohen aty dhe sapo kemi hapur garën për lagjen e dytë që është lagjia Kombinatit që ne e quajmë Kombinart duke qenë se do të ketë edhe disa muze dhe disa galeri që është vetëm në anën tjetër të rrugës të lagjes së dëmtuar nga Kombinati. Fokusi do të jetë tek rindërtimi”, nënvizoi Veliaj.