Qyteti

Censusi në Serbi, Albin Kurti apel shqiptarëve të Preshevës: Regjistrohuni!

Censusi në Serbi, Albin Kurti apel shqiptarëve të Preshevës:

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës të regjistrohen në censusin që po kryen Serbia gjatë muajit tetor. Kurti thotë se shqiptarët që jetojnë në Serbi vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar dhe njerëzor e së fundmi edhe me pasivizim të adresave të tyre.

“Regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike. Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, që t’i përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten e familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit, duke regjistruar çdo shqiptar edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, tha Kurti.

Shqiptarët në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, kryesisht në tre komunat në jug, që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës.

Çfarë është procesi i pasivizimit?

Më 2021, Komiteti i Helsinikit për të drejtat e njeriut në Serbi, tha se Beogradi zyrtar, në mënyrë që të ulë numrin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, po kryen procesin e “pasivizimit të banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Kosovë, apo në shtetet europiane. “Kjo masë, në thelb, është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, thuhej në raportin e Komitetit të Helsinkit.

Sipas Komitetit të Helsinkit, kur një adresë e banimit pasivizohet dhe hiqet nga libri amëz në Serbi, ai person praktikisht pushon së ekzistuari në atë vend pasi ai nuk mund të pajiset me asnjë dokument dhe si rrjedhojë nuk mund të kryejë asnjë procedurë administrative.