Qyteti

Edhe pak ditë nga Maratona e Tiranës / Nga Aurela Gaçe e Soni Malaj, te Land Hysi dhe Klodiana Shala, artistët dhe atletët thirrje për pjesëmarrje

Edhe pak ditë nga Maratona e Tiranës / Nga Aurela Gaçe e Soni

Këtë të dielë do të zhvillohet Maratona e Tiranës, ngjarja më e madhe sportive e vitit, me edicionin e saj të 5-të. Ky aktiviteti i cili tashmë është kthyer në një traditë organizohet me aprovimin e tre itinerareve të miratuar nga Federata Botërore e Atletikës. Në emisionin ‘Rreze Dielli" në Report Tv tre këngëtarët, Landi Hysi, Soni Malaj, Aurela Gaçe dhe atletja Klodiana Shala dhanë disa mesazhe përse është e rëndësishme pjesmarrja në një aktivitet të tillë sportiv dhe bënë thirrje për sa më shumë pjesëmarrje.

Landi Hysi u shpreh: "Uroj me gjithë zemër që Tirana me kalimin e viteve të jetë atraksion, ku njerëzit të zgjedhin në mes shumë maratonave kombëtare dhe ndërkombëtare të zgjedhin Tiranën. Uroj që të arrij në atë nivel dhe ngadalë ngadalë të punojmë të gjithë sëbashku ta sjellim në atë nivel", u shpreh Landi Hysi.

E njohur për kujdesin ndaj trupit dhe stërvitjes së vazhdueshme, edhe këngëtarja Soni Malaj theksoi se pjesëmarrja në maratonë është edhe një sfidë për këdo që kërkon të arrijë diçka brenda vetes. “Maratona është edhe një start. Maratonat përgjithësisht janë ato qëllimet vetjake, ndoshta edhe më shumë, karakteriale për të arritur dhe për të thyer diçka brenda vetes, është edhe një lloj force karakteri ashtu siç është sporti në përgjithësi”, tha ajo.

Këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Aurela Gaçe ka treguar edhe njëherë përkushtimin që ka ajo ndaj sportit dhe stërvitjes në mënyrë të rregullt. Ajo bëri thirrje për pjesëmarrje në këtë maratonë e cila është edhe një festë për gjithë qytetin.

Nuk e bëj sportin që të rrëzoj peshën, e bëj sportin sepse e kam nevojë shpirtërore, fizike, psikologjike. Unë e bëj sportin për t’u treguar vajzave dhe djemve që më ndjekin live të jesh mirë në skenë, të jesh e fortë, të jesh edhe mama, të jesh edhe energjike, të kesh edhe mundësi të këndosh edhe pas pompave kërkon disiplinë. Nuk është e rastësishme, është disiplinë. Të kesh frymëmarrjen në rregull dhe të këndosh në të njëjtën kohë nuk është rastësi, duhet një disiplinë e përditshme. Prandaj e tregoj, për të treguar edhe brezit që më ndjek që nuk arrihet asnjë gjë duke ndenjur në shtëpi dhe duke ngrën fara”, theksoi Aurela Gaçe.

Shembuj si Landi, Aurela, Soni dhe Klodi, të cilët kanë zgjedhur të kujdesen për veten duke u marrë me aktivitet sportiv rregullisht, kanë frymëzuar dhe shumë persona të tjerë që kanë vendosur të kryejnë të njëjtën mënyrë jetese në të mirë të shëndetit të tyre.

Tiranapost.al