Punimet për rikualifikimin e Qendrës së Kinostudios, për t’u transformuar në polin e ri urban të Tiranës, po vijojnë me ritme të shpejta. Projekti, i cili është i ndarë mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, ka krijuar disa parqe urbane që nuk kanë qenë më para të cilat do të sjellin aktivitete kulturore për ekspozita, për filma dhe instalacione të ndryshme në zonën e Kinostudios.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pa nga afër punimet tha se është një transformim që do t’i sjellë një super-vlerë zonës.
“Jam i sigurt që banorët mezi e kanë pritur shtrimin e kësaj pjesës, të lirohet qarkullimi dhe pastaj të punojmë te rrethrrotullimi i Kinostudios, ku bashkohet ‘Aleksandër Moisiu’ me ‘Xhanfize Kekon’. Projekti do ta kthejë vërtet këtë park në një park arti dhe sigurisht, do t’i sjellë një super vlerë zonës”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se përveç qendrës së Tiranës, vihet re një shtim i ndjeshëm i numrit të turistëve edhe në zonat periferike. “Në Kinostudio po vijnë gjithmonë e më shumë turistë. Turistët nga qendra e Tiranës po vijnë të shohin kinema edhe te Marubi, të shohin edhe Muzeun e Armëve, por do të vijnë edhe për instalacionet që do të kemi këtu. Kemi parë që, aty ku kemi projekte të artit dhe të kulturës, siç ka qenë kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, fillon bubërron gjithë lagjia, se fillojnë eventet siç po ndodh sot tek Kinema Agimi. Rikthimi i këtij institucioni të artit në duar të bashkisë dhe gjallërimi me jetë, ka prodhuar një sërë aktivitetesh të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.