Fotot nga shkolla e re që po ndërtohet për 600 nxënës në Vaqarr

“Bedri Llagami” në Vaqarr është shkolla e re që do të mirëpresë 600 nxënës me kushte më të mira për ta. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Veliaj tha:
“Sot është një ditë shumë e mirë për Vaqarrin! Jemi në fund të punës për shkollën e re “Bedri Lllagami” - një shkollë e bashkuar me parashkollorin, 9-vjeçaren dhe shkollën e mesme – me të cilën zgjidhim përfundimisht hallin e komunitetit. Fillimisht strehuam njerëzit e prekur nga tërmeti, tani po ndërtojmë shkollën, dhe hapi i tretë janë institucionet vendore”.
Ai kishte një thirrje për këdo që zapton hapësirat publike.
“Të zaptosh oborrin e shkollës ku mblidhen fëmijët është turp. Por, si çdo punë tjetër e bashkisë, ku jemi mësuar me bllokime e gjyqe nga politika, edhe këtu kemi pasur vonesa. Është mëkat që nuk e përfundojmë dot ende hyrjen e shkollës sepse jemi në gjyq me dikë që ka ndërtuar lokal brenda territorit të shkollës. Ky nuk është një vend pa zot! Nuk besoj se ka gjyqtarë që vazhdojnë të lejojnë legalizime në varreza dhe në oborr të shkollës. Thirrja për qytetarin që ka zaptuar shkollën për të bërë lokal është e thjeshtë: Largohu pa hyrë forca e ligjit! Nuk bëhet fjalë për një nevojtar apo një njeri që është pa shtëpi. Bëhet fjalë për një njeri që, për 30 e ca vite, në këtë rrumpallën e tranzicionit, fitoi para në oborr të shkollës. Çdo gjë ka një limit. Tani që shkolla bëhet e re, nuk mund të kthehemi te zakonet e vjetra”, tha Veliaj.
Në fund, Veliaj ftoi banorët që të regjistrojnë fëmijët në shkollat pranë banesave të tyre për të shmangur mbingarkesën dhe mësimin me dy turne.
“Palestra do të jetë në shërbim të komunitetit, bashkë me fushat e kalçetos dhe terrenet sportive. Ne fitojmë jo vetëm një kampus akademik nga mosha 4-18 vjeç, por edhe një kampus sportiv. Ftesa për të gjithë prindërit është: Vaqarri tani është një lagje e Tiranës. Këtu vjen autobusi, rruga është riparuar, jemi pak minuta larg Unazës së Madhe. Është mëkat të torturojnë fëmijët, duke i çuar në Kombinat. Tani që kemi një shkollë të re, që e ka zili qendra e Tiranës, duhet që fëmijët të regjistrohen këtu”, u shpreh Veliaj.