Veliaj: Gjimnazi Partizani do të jetë edhe më i mirë se Samiu
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet te gjimnazi “Partizani”, një tjetër investim i rëndësishëm, që i shtohet 42 shkollave të ndërtuara në kryeqytet.
“Kur të mbarojë, me cilësinë e punimeve që pashë, si po e përforcojmë shkollën e vjetër, si po shtojmë klasat e reja, laborator dhe bibliotekë të re, po ashtu edhe një super palestër, shkolla “Partizani” do të jetë vërtet më e mirë se “Samiu”. Madje edhe fasada. Mezi pres që diplomimin e brezit të 2023-it, në qershor, të jemi këtu, t’i japim një fillim të ri ‘Partizanit’. Shkolla e re do të jetë vërtetë një stoli për Njësinë 8, por edhe një burim i jashtëzakonshëm dijesh e energjie pozitive për komunitetin”, tha Veliaj.
“Ne duhet të fokusohemi që puna të mbarojë në afat. S’ka lidhje fare me zgjedhjet, sepse qershori është pas zgjedhjeve. Nuk bëjmë asgjë me ngut për shkak të fushatës, por i bëjmë siç duhet, sepse në fund planet nuk janë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme”, theksoi Veliaj.