Qyteti

Hapet parkingu nëntokësor tek ‘Air Albania’, Veliaj: Është i katërti, por më moderni në Tiranë

Hapet parkingu nëntokësor tek ‘Air Albania’, Veliaj:

Parkingu i katërt nëntokësor u hap sot te stadiumi kombëtar “Air Albania”, një investim modern dhe zgjidhje për zonën qendrore të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se parkingu ka 200 vende, jep siguri për makinat dhe ka disa vende të posaçme karikimi për automjetet elektrike.

“Sot është një ditë e mirë për parkimin në Tiranë. Ky është parkingu i dhjetë në total në qytet, por i katërti nëntokësor. Para 5 vitesh, parkingu nëntokësor ishte diçka e padëgjuar në Tiranë. Sot kemi parkingje nëntokësore te sheshi “Skënderbej”, te ish-stacioni i Trenit, ku fillon Bulevardi i Ri, te këndi “7 Xhuxhat”, pronë që iu rikthye bashkisë për ta riinvestuar, dhe parkim nëntokësor poshtë sheshit “Italia”. Me gjashtë parkingje në sipërfaqe dhe katër nëntokë, sot kemi 10 parkingje më shumë seç kishim para 5 vitesh”, tha Veliaj.

Hapet parkingu nëntokësor tek ‘Air Albania’, Veliaj:

Kryebashkiaku shtoi se ambicia e Bashkisë së Tiranës nuk ndalet me kaq, por do të investojë edhe për 10 parkingje të tjera rezidenciale.

“Do të vazhdojmë me 10 parkingje të tjera kryesisht në Njësinë 5, në zonën e Komunës së Parisit. Në Njësinë 10, në zonën e “Myslym Shyrit”, në Njësinë 9, në zonën e “Mine Pezës” dhe në të gjitha zonat ku mes pallateve kemi gjetur hapësira që mund të kthehen në parking”, tha ai.

Veliaj theksoi se e vetmja përgjigje për të gjithë ata që hedhin baltë është puna.

“Puna këtu flet shumë më shumë se të gjithë ata që ulërasin për parkingjet. Ulërasin ata që në 4 vite mirë që nuk bënë një parking, por as një shkollë. Sot jemi dita me natën: kemi zgjidhur çështjen e parkimit për pjesën qendrore të Tiranës dhe në këtë mandat të dytë, do të kalojmë te rrethi tjetër; pra, nga Unaza e Vogël, te Unaza e Tretë, për t’u siguruar që e sistemojmë parkingun edhe në blloqet e pallateve”, u shpreh ai.

Më tej, kryebashkiaku sqaroi edhe projektin e ri ambicioz në hyrje të Liqenit Artificial.

“Në mes të hyrjes së Parkut të Liqenit ka një pronë private, një lokal i rrethuar. Ajo që po bëjmë, është që po e transferojmë atë pronë private te Garda, që të kemi pronë shtet aty për të bërë një parkim tjetër nëntokësor, ku çdo qytetar pas Akademisë së Arteve, te hyrja e Liqenit, nga ana e Gardës, të ketë mundësi të lërë makinën nën tokë dhe të shijojë Parkun e Liqenit”, sqaroi Veliaj.

Parkimi i ri ka një sipërfaqe totale ndërtimi prej 4 mijë m² dhe përbëhet nga dy kate nëntokë. Ky parkim ofron dy hyrje-dalje, si dhe vende të posaçme parkimi për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërkaq, në vijim të turit të tij në çdo njësi, Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim edhe me stafin Njësisë 5, ku dha lajmin e mirë të rehabilitimit të bllokut të banimit pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe në Selitë.