Qyteti

Helidon Haliti: Jam krah Veliajt, sepse ai mbështet energjinë pozitive!

Helidon Haliti: Jam krah Veliajt, sepse ai mbështet energjinë

Helidon Haliti, është një emër i vyer i artit shqiptar. Pjesë e ekspozitave të shumta, në Shqipëri dhe jashtë. Fabulat e tij komunikojnë lehtësisht me publikun, sepse veprat e tij shpalosin dhe transmetojnë mesazhe dhe ide aktuale; imazhet që ai zgjedh janë të frymëzuara nga jeta dhe natyra. Siç do të jetë kjo ekspozitë që do të sjellë në fund të këtij muaji, pas një kohe të gjatë mungese. Një punë e gjatë, që u finalizua në karantinë. Izolimi shprehet ai në një intervistë për Dritare.net është mjaft i nevojshëm për artistin. Këtë herë ishte e imponuar, por sërish ndikoi pozitivisht. Së fundmi, u shfaq në krah të kryebashkiakut Veliaj, për të dhënë hapur mbështetjen ndaj tij. Ka 1000 arsye që ai përmend, por mbi të gjitha, shprehet se Veliaj, e shikon Tiranën si një tablo të madhe, ku mendon ta përmirësojë dhe zhvillojë më shumë.

Helidon Haliti: Jam krah Veliajt, sepse ai mbështet energjinë

Artisti thoni ju, ka një moment të jetës, që quhet ngujim. A ishte karantina e tillë për ju?

Helidon Haliti: Artisti gjatë një akumulimi, e ka shumë të nevojshme të veçohet, të ngujohet, të monologojë, të diskutojë me veten, t'i perceptojë gjërat më ndryshe. Gjithë ai akumulim duhet patjetër shtjelluar dhe diskutuar gjatë një ngujimi, që jo domosdoshmërish duhet të jetë i imponuar. Karantina në fakt ishte e imponuar. Por patjetër ishte tejet produktive. Jo vetëm për mua, e kam vënë re për shumë artistë këtë. Kështuqë kreativiteti nuk mungoi. Nuk mungoi sepse e gjithë jeta e mëparshme, ishte e mbushur padyshim me shumë ngjarje, me ndodhi dhe secili artist me perceptimin e tij personal atë ngujim e ka shprehur. Pra mund të themi se i ka bërë mirë. Por duke pasur parasysh që arti ka disa procese. I pari është i akumulimit, i dyti i ekzekutimit dhe i treti ai i ekspozimit. Unë kam kaluar dy proceset e para, të akumulimit artistik, dhe më pas të një lloj ekzekutimi të veprave të artit.

Helidon Haliti: Jam krah Veliajt, sepse ai mbështet energjinë

Si ka ndikuar karantina personalisht te ju, ju ka frymëzuar?

Helidon Haliti: Të jem i sinqertë, më përpara karantinës unë kisha nisur një cikël, që kishte të nevojshme një ngujim. Ishte një finalizim i të gjitha akumulimeve të mëparshme. Mund të them që në një moment më dha pozitivitet, sepse lejonte një lloj sigurie, një përballje me vetveten. Një menaxhim i suksesshëm i kohës, sepse obligimet ishin më të vogla. Produktet artistike, padyshim u rritën. Ndërkohë që procesi i tretë, ai i ekspozimit, ishte si një organikë e nevojshme, dhe unë dola në një ekspozitë online me mjeshtrit e akuarelit, ku shumica e punëve ishin gati. Një ekspozitë që u ndoq nga mijëra njerëz në të gjithë botën. Por ishte një ekspozitë në kuadrin e kuratorit, ndërkohë që unë kam akumuluar, kam ekzekutuar, dhe dua të dal në një ekspozitë personale.

Aktualisht, jeni duke punuar për ndonjë projekt? Ka kaluar kohë që nga ekspozita e fundit!

Helidon Haliti: E fundit ka qenë para katër vjetësh në akuarel, ndërkohë që në vaj, kam gati 8 vjet që nuk dal në një ekspozitë personale. Kam ndërmend që në fund të muajit, të kem një ekspozitë. Bëhet fjalë për një punë dy vjeçare, por karantina më ndihmoi ta mbyll. Procesi im ka qenë i disa cikleve, dhe në këtë fund muaji unë do të ekspozoj një cikël, duke e quajtur 'Poezia Rozë'. Është një kuadratim i një peizazhi të akumuluar, ku unë e quaj pranvera nga dritarja e studios sime, e cila nuk ekziston. Është si një lojë fjalësh. Ajo që ne bëmë brenda 24 orëve, ku një sekondë kalonte shumë shpejt, dhe ne hidheshim nga një ekran i vogël, në një ekran më të madh, siç është TV. Për ta përmbyllur në ekranin e një kuadrati siç ishte ai i telajove. Kështu do të ekspozohet edhe ndaj publikut, si një dritare, ku shpeshherë ka transparencën e vet dhe shpeshherë luan.

Helidon Haliti: Jam krah Veliajt, sepse ai mbështet energjinë

Dikur merrnit mësim nga kryeministri Rama, sot jeni pedagog në të njëjtën klasë. Komunikoni sot më me të për artin?

Helidon Haliti: Unë kam qenë student i Edi Ramës. Asokohe ai ishte një asistent pedagog i ri. Kishte një vit në Universitetin e Arteve. Qëllova ta kisha profesorin tim personal. Ishte lektor në atelien e kavaletit, ose ajo që quhet piktura monumentale, në të cilën unë pas 30-vjetëve thuajse, jap mësim në të njëjtën atelie ku nuk ka ndryshuar asgjë. Madje as dritaret, as zgjatimi i llambës elektrike që ndriçon sallën. Më krijojnë një ndjesi të jashtëzakonshme. Komunikimi im me të si profesor, ka qenë pak i rrëmujshëm, me dilema, sepse ai duke qenë një asistent i ri, kishte mendimet e tija. Por nuk ishte vetëm kjo arsyeja, ishte ajo amulli që ndodhte në ato vite në Shqipëri, bëhet fjalë për vitet 1989-1992. Ku në '90 profesori u angazhua në të gjitha lëvizjet politike, dhe ne si studentë e mbështetëm.

Nuk është hera e parë që shfaqeni në krah të Veliajt por këtë herë jeni për ta mbështetur politikisht? Si erdhi ky vendim?

Helidon Haliti: Erion Veliaj, është një energji që erdhi si nevojë për shumë aspekte. Është fare e thjeshtë. Ai i mbështet energjitë pozitive. Ai i ka mbështetur të gjitha nismat dhe risitë që kanë ardhur në këtë qytet. Dhe një nga këto ka qenë dhe nisma e VIZart, që të sillte Bienalen e Akuarelit në Tiranë, gjë që dukej e pamundur, një absurditet. Ai më njihte, unë jo dhe aq atë edhe për shkak të moshës. Ma besoi këtë gjë.

*Marrë nga Dritare.net