Qyteti

Tiranë/ Ku do të jenë 10 parkingjet e reja rezidenciale

Tiranë/ Ku do të jenë 10 parkingjet e reja rezidenciale

Kryebashkiaku Erjon Veliaj tha sot se ambicia e Bashkisë së Tiranës nuk do të ndalet, por do të investojë edhe për 10 parkingje të tjera rezidenciale.

Veliaj tha se 10 parkingjet e reja do të jenë  në zonëat e Komunës së Parisi, “Myslym Shyrit”, “Mine Pezës”, Unaza e Vogël, Unaza e Tretë dhe Parku i Liqenit.

“Do të vazhdojmë me 10 parkingje të tjera kryesisht në Njësinë 5, në zonën e Komunës së Parisit. Në Njësinë 10, në zonën e “Myslym Shyrit”, në Njësinë 9, në zonën e “Mine Pezës” dhe në të gjitha zonat ku mes pallateve kemi gjetur hapësira që mund të kthehen në parking”, tha ai.

Veliaj theksoi se e vetmja përgjigje për të gjithë ata që hedhin baltë është puna.

“Puna këtu flet shumë më shumë se të gjithë ata që ulërasin për parkingjet. Ulërasin ata që në 4 vite mirë që nuk bënë një parking, por as një shkollë. Sot jemi dita me natën: kemi zgjidhur çështjen e parkimit për pjesën qendrore të Tiranës dhe në këtë mandat të dytë, do të kalojmë te rrethi tjetër; pra, nga Unaza e Vogël, te Unaza e Tretë, për t’u siguruar që e sistemojmë parkingun edhe në blloqet e pallateve”, u shpreh ai.

Më tej, kryebashkiaku sqaroi edhe projektin e ri ambicioz në hyrje të Liqenit Artificial.

“Në mes të hyrjes së Parkut të Liqenit ka një pronë private, një lokal i rrethuar. Ajo që po bëjmë, është që po e transferojmë atë pronë private te Garda, që të kemi pronë shtet aty për të bërë një parkim tjetër nëntokësor, ku çdo qytetar pas Akademisë së Arteve, te hyrja e Liqenit, nga ana e Gardës, të ketë mundësi të lërë makinën nën tokë dhe të shijojë Parkun e Liqenit”, sqaroi Veliaj.