Qyteti

Ndërhyrja e radhës në Tiranë në rrugën “Hamide Dalipi”

Ndërhyrja e radhës në Tiranë në rrugën

Rruga “Hamide Dalipi”, në Sauk, po rikonstruktohet me të gjitha elementët e sigurisë dhe të sinjalistikës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punën për asfaltimin e rrugës në Njësinë 2, tha se në çdo lagje do të ketë investime të tilla, të cilat përmirësojnë cilësinë e jetës në komunitet.

“E di që është mesi i natës, por e vlerësoj jashtë mase punën që bëhet, sidomos në një Tiranë që është e mbingarkuar. Disa nga orët më të kollajta për të punuar janë orët e natës, ku mund të asfaltojmë, mund të punojmë me shtresa të ndryshme, duke pasur mirëkuptimin, bekimet dhe uratën e banorëve, të cilët i falenderoj me gjithë zemër. Në zonën e Xhamisë së Saukut, edhe kur ndërtuam xhaminë, pastaj këndin e lojërave, pastaj gjithë pjesën që sheh në drejtim të autostradës, ku sistemuam të gjitha lagjet, me ndriçimin, asfaltimin, me kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha, me sistemimin e grumbullimit dhe mbledhjes së mbeturinave, ky është segmenti i fundit, një rrugë jashtëzakonisht e frekuentuar, sidomos në ditë të xhumasë nga miqtë e vëllezërit tanë besimtarë,” u shpreh Veliaj.

Ndërhyrja e radhës në Tiranë në rrugën

“Jam vërtet mirënjohës për të gjithë banorët që kanë treguar durim. E kuptojnë se, siç një shtëpi nuk ndërtohet në një ditë, ashtu edhe ne duhet të punojmë çdo ditë nga një rrugicë, për t’u siguruar që sistemohen të 10.000 rrugicat e Tiranës. Sot jemi në Sauk, nesër do kemi disa lagje të tjera. Më erdhi mirë që takova disa nga miqtë e mi të vjetër të fëmijërisë, por unë besoj se formula e suksesit është si do arrijmë të ruajmë intimitetin që ka pasur Tirana e vjetër, kur kemi qenë ne fëmijë, me një Tiranë që sot është me 1 milionë banorë dhe se si mund të ndikojë dora e bashkisë në të gjitha rrugicat, edhe pse qyteti ka shkuar nga 42 km katrorë në mbi 1200 km katrorë. E vetmja zgjidhje, e vetmja përgjigje që unë kam për këtë është: çdo ditë nga një punë konkrete,” shtoi ai.