Nga heqja e taksave te bursa e çmimeve, si do funksionojë tregu i ri AgroPark Tirana

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca prezantuan sot tregun e ri agroushqimor në Farkë, AgroPark Tirana, i ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin pa taksat e privatit, ndërsa konsumatorët do t’i blejnë më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve europiane.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh shpjegoi mënyrën si do funksionojë tregu i ri i cili do u kursejë tregtarëve 70% të kostove që më parë paguanin te privati, e po ashtu do u ofrojë qytetarëve produkte bio më të lira.
“Në tregun privat ti paguaje pa e ditur se çfarë do të shisje, pa e ditur se sa është bursa në treg, sepse kishte një çmim fiks të asaj që quhet ‘matje e kokës me spango’. Në këtë treg kemi pagesa deri në 70% më të ulëta, jo për të nxjerrë fitim, por të sigurohemi që këtu mbahet pastër, që ka roje, ndriçim, higjienë dhe ka një lloj rendi vetëm për të mbuluar kostot, duke i kursyer secilit 70% të pagesave që shkonin për fitimin e privatit”, nënvizoi ai.
Veliaj njoftoi edhe një sistem transparence për produktet që do të shiten në këtë treg. “Siç ekziston bursa jashtë, për shumë prej produkteve duhet të kemi edhe një minibursë këtu. Do të kemi një tabelë të çmimeve, ku njerëzit dinë sipas kërkesës dhe ofertës, ku rrahin çmimet. Ky sistem transparence sigurisht që e bën më kompetitiv tregun, informon njerëzit jo vetëm për çmimin, por edhe për origjinën nga ka ardhur”, deklaroi ai.
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca nënvizoi faktin se tregu do të afrojë më shumë fermerët e zonave kufitare me Tiranën.
“Ky treg ndërtohet jo vetëm për konsumatorët e Tiranës, që është tregu më i madh që kemi në Shqipërinë tonë, por është një treg që do të marrë produkte edhe nga Elbasani, nga Shkodra, nga Dibra dhe duke u dhënë akses praktikisht të gjithë fermerëve të Shqipërisë, mund të pikëtakohen këtu,” u shpreh ajo.
Tregu AgroPark Tirana do të sjellë fitime më të larta të fermerëve falë çmimeve më të ulta të qiradhënies dhe mostarifimit të çdo produkti që qarkullon në treg, si dhe çmime më të lira për konsumatorin.