Qyteti

Nis asfaltimi i rrugëve periferike në Tiranë

Nis asfaltimi i rrugëve periferike në Tiranë

Kantieret e rrugëve të reja që po asfaltohen në Bashkinë e Tiranës janë shtrirë edhe më në periferi të kryeqytetit, në zonën e Freskut.

Kryebashkiaku Veliaj, zhvilloi gjatë orëve të natës një inspektim në rrugën “Kastriot Gjini”, ku po punohet me shtrimin e asfaltit dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore.

Nis asfaltimi i rrugëve periferike në Tiranë

“Është një punë e jashtëzakonshme, duket sikur jemi në fund të Tiranës, por këtu jeton një komunitet i tërë. Një qytet nuk dallohet nga ajo që bën në qendër, por në periferi. Sigurisht, nuk i bëjmë dot të gjitha gjërat përnjëherë, por ama, siç publiku e sheh, çdo natë jemi në një komunitet, në një bllok ose lagje, sidomos në këtë zonë kufitare mes Njësisë 3, Njësisë 4, Njësisë 12 dhe Freskut. Fakti që po ndërhyjmë në të gjitha këto njësi, është një garanci e madhe për atë që na sheh, për të kuptuar se është vetëm çështje kohe për të mbërritur në çdo lagje”, siguroi Veliaj.

“Javën tjetër, - tha kreu i Bashkisë, - “do të shpallim fituesit për të gjitha ndërhyrjet me asfalt, ndriçim, kanalizime, për të gjitha njësitë. Çdo kompanie do i caktohet një njësi dhe do kemi mundësi që, çdo natë, të kemi punë në të gjitha njësitë,” shtoi ai.

Në këtë bllok banimi, ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës synon shtrimin e mbi 2000 metër katrorë infrastrukturë rrugore, por dhe ndriçim, kanalizime dhe sistemime të tjera nëntokësore që do të transformojnë zonën.