Qyteti

Nis puna për konviktet e reja të studentëve të UBT: Do ndërtohen 8 godina

Nis puna për konviktet e reja të studentëve të UBT: Do

Për konviktet e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës nisi sot puna për rindërtimin, pas dëmeve të pësuara nga tërmeti i një viti më parë. Në konviktin e ri do të akomodohen 2200 studentëve në 8 godina. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se procesi i rindërtimit provon më së miri faktin se kur shqiptarët bëhen bashkë, bëjnë gjëra të mrekullueshme.

“Një kantier që na kujton pse merremi me politikën, se sigurisht që sot është një vit nga tërmeti e mund të bënim vajtuesin, por ky nuk është roli ynë. Patjetër duhet të kujtojmë me respekt të gjithë atë tragjedi, por ama misioni ynë është më i madh se kaq, është të ndërtojmë shtëpi, shkolla, universitete. Nuk besoj se ka një komb tjetër që është ngritur aq shpejt sa ne shqiptarët, mbas një tragjedie të tillë. Ky proces i rindërtimit provon forcën tonë. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, nuk përçahemi, nuk lejojmë politikën të na bëjë mish për top, bëjmë gjëra të mrekullueshme dhe besoj që diçka e tillë do jetë edhe mrekullia që po ndodh në Institutin Bujqësor”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se zona e Institutit Bujqësor ka nisur të rilindë, duke filluar nga çerdhet.

Nis puna për konviktet e reja të studentëve të UBT: Do

“Bëhet fjalë për një komunitet që nuk kishte as çerdhe, as kopshte, as 9-vjeçare, as gjimnaz e as universitet sepse ishte zaptuar. Për herë të parë mund të themi që kush banon në Institutin Bujqësor, nga mosha 2 vjeç deri në moshën 22 vjeç, do i ketë të gjitha në lagjen e tij. Pra nga çerdhja, deri te diploma e universitetit dhe master e doktoraturë po të dojë. Besoj që partneriteti që kemi gjetur me rektorin e ri, na ndihmon jashtë mase. Ndërtesat janë bërë më të mëdha, pikërisht për të akomoduar jo vetëm ambientet e strehimit për studentët, por edhe pjesën studimore, bibliotekë, laborator, ndoshta disa klasa, qendër rinore, qendër këshillimi, sepse vetëm atëherë mund të themi që jetojmë në komunitet”, theksoi Veliaj.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, tha projekti i kampusit universitar është arritje e rëndësishme, jo vetëm në kuadër të procesit rindërtimit, por gjithashtu edhe një vlerë e shtuar e “Paktit të Universitetit”.

Ndërkaq, studentet që kanë banuar në këto ndërtesa janë trajtuar nga Bashkia e Tiranës me bonus qiraje, ndërsa familjet që kishin uzurpuar disa nga godinat studentore do të trajtohen me politika strehimi.