Qyteti

Nis shpërndarja e 3000 pagesave të para për të prekurit nga tërmeti në Tiranë, si do veprohet me banesat kolektive

Nis shpërndarja e 3000 pagesave të para për të prekurit nga

Nga sot 3 mijë përfituesit e lotit të parë të dëmshpërblimeve nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë e Tiranës, mund t’i tërheqin pagesat kesh në çdo pikë të Postës Shqiptare.

 “Ne kemi tashmë të akorduar nga qeveria një fond prej mbi 700 milionë lekësh; 560 milionë janë pagesa kesh të familjarëve. Ndërkohë, pjesa tjetër ka të bëjë me rregullimin e ambienteve të përbashkëta. Me grantin që kemi marrë për ambientet e përbashkëta është ezauruar e gjithë kërkesa, ndaj transhi tjetër i 3100 familjeve do të jetë për pagesa cash për dëmet DS1/DS2/DS3”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj, në mbledhjen online të organizuar paraditen e sotme, me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Veliaj sqaroi edhe procesin që po ndodh me banesat kolektive:

“Po bëhet një ekspertizë e thelluar nga studiot private për 92 objekte. Në përfundim, 52 pallate janë për prishje. Kemi 10 pallate për rikonstruksion dhe 8 pallate në proces diskutimi, ku duam të shikojmë nëse arrijmë të bëjmë një rikonstruksion të plotë ose nëse do ia vlejë që ta bëjmë nga fillimi sepse inxhinierët kanë një debat mes tyre dhe Institutit të Ndërtimit; por, për këtë do kemi një debat publik në Këshillin Bashkiak”.

Bashkia e Tiranës do të ndërhyrë në 243 pallate për të riparuar dëmet në hapësirat e përbashkëta. Ndërsa po ashtu u ndal edhe tek konviktet:

“Kemi rrëzuar 10 godina konvikti në Kodër-Kamëz, nga të cilat vetëm dy përdoreshin nga studentët, pjesa më e madhe kanë qenë ndërtesa të zaptuara. Në qytetin “Studenti”, tre godinat ishin të amortizuara prej zaptimit gjatë 30 viteve”.

Kryeministri Edi Rama theksoi se janë 80 milionë dollarë fonde të cilat do të shpërndahen për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti me nivele dëmi DS1 deri DS3:

“Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka 5.6 milionë dollarë në proces. Ndërkohë, jemi në procesin e fillimit konkret të punës në terren për ndërtimin e shtëpive. Qytetarët duhet të kuptojnë se kjo e sotmja është vetëm një pjesë, pasi bashkia po i bën miratimet me lote. Janë dy mbledhje të radhës së Këshillit Bashkiak, ku presim të miratohen 3100 dosje dhe 2000 të tjera. Pra, në total 5100 dosje, për të cilat do të lëvrohen fondet drejtpërdrejt për familjet e dëmtuara. Për sa i përket procesit të banesave kolektive, pasi të bëhet procedura e plotë me Këshillin Bashkiak, do të bëhet edhe shembja e godinave që janë të pariparueshme dhe të pabanueshme. Të gjithë banorët e këtyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë herë më të mira”.