Qyteti

Nisi shembja e 9 pallateve të para në Kombinat. Banorët do marrin bonus qiraje derisa të marrin çelësat e shtëpisë

Nisi shembja e 9 pallateve të para në Kombinat. Banorët do marrin

Nisi sot prishja e 9 pallateve të para në Kombinat, nga 23 që do të shemben gjithsej në këtë zonë mjaft të goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit, ku është planifikuar ngritja e një lagje të re. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama ishin sot në kantierin e dytë në Tiranë të Programit të Rindërtimit, për prishjen e pallatit të parë, i cili do t’i hapë rrugën sheshit të madh të transformimit të të gjithë kësaj lagjeje sipas projektit të arkitektit italian Marco Casamonti.

“Pallati numër 152, kategoria DS5, është një nga 9 pallatet e para që tashmë e ka dhe lejen e prishjes dhe të gjitha procedurat e ndërhyrjes. Ka rënë gjysma e pallatit. Janë të gjitha muret guri. Themelet kanë qenë një sajesë. Një tërmeti tjetër nuk do i bënin ballë. Në total janë 23 pallate që do prishen. Në 9 të parat kemi emetuar lejen, sipas të gjithë procedurave, me njoftimin dhe gjithë dakordësinë dhe do vazhdojmë 9 e nga 9 derisa të mbarojnë të gjitha. Të gjithë banorët kanë qenë bashkëpunues,” tha Veliaj.

Ai garantoi të gjithë qytetarët e Kombinatit se do vijojnë të marrin bonusin e qerasë deri ditën që do futen në apartamentin e ri: “Të gjithë banorët po trajtohen me bonusin e qirasë, i cili do të vazhdojë deri ditën që do marrin çelësat e shtëpisë së re. Në total kemi 2600 familje me bonusin e qirasë, të cilin qeveria e buxhetoi edhe në buxhetin e ri”.

KombinArt që do të jetë një lagje shumëdimensionale ku qytetarët do të kenë mundësi të ndërveprojnë midis tyre, duke krijuar sinergji te reja dhe duke ndërtuar një komunitet të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës. Krahas banimit, do të ofrohen hapësira të reja për koncerte, ekspozita, instalacione arti, evente të ndryshme artistike, duke u prezantuar si një qendër e re e jetës artistike dhe kreative në qytet, në përputhje me politikat urbane për zhvillimin e poliqendrave te reja.