Një fasoneri në Tiranë hap çerdhe për fëmijët e punonjëseve

Një çerdhe në mjediset e punës, një risi që iu vjen në ndihmë sidomos kompanive me një numër të lartë punonjësish, është një nga nismat që promovohet nga Bashkia e Tiranës si ndihmesë, jo vetëm për biznesin, por edhe për nënat e reja. Një çerdhe e tillë është hapur në fasonerinë ‘Mediterrania’, në lagjen e re “5 Maji”, e cila operon prej 27 vitesh në Shqipëri dhe aktualisht ka rreth 300 punonjës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi ambientet e kësaj çerdheje dhe u shpreh se ky është investimi i duhur për çdo biznes në Tiranë. “Jam vërtet shumë entuziast që hapim çerdhen e dytë me konceptin e ri të bashkëpunimit mes bashkisë dhe sipërmarrjeve private. Kjo është formula perfekte sepse ne ofrojmë shërbimin e edukatoreve, kurrikulën, menunë dhe ushqimin, ndërsa private ofron hapësirën”, tha Veliaj.
“Ftesa për të gjitha kompanitë është: mund t’ju duket sikur shtohet një shpenzim, por në fakt shtohet produktiviteti. Dikush që vjen vonë në punë sepse i duhet të lërë fëmijën në çerdhe apo ikën më herët sepse duhet të marrë fëmijën para se të mbyllet çerdhja ose kopshti; një nënë e re duhet të shkëputet gjatë periudhës së drekës për të ushqyer fëmijën; një prind i shqetësuar që duhet të marrë dy-tre orë pushim që të shkojë ta vizitojë ose të ofrojë një shërbim tjetër; të gjitha këto janë orë të cilat nëse i mbledh, kursehen kur çerdhja është te vendi i punës”, sqaroi ai.
Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se një investim i tillë do të thotë një bilanc pozitiv për çdo kompani.
“Duke qenë se kemi një kompani te “5 Maji”, që ka vendosur këtë standard, është shembull edhe për kompanitë e tjera ose për drejtori dhe institucione publike që mund ta bëjnë këtë. Një çerdhe në ambientin e punës do të thotë mendje më të qeta për t’u fokusuar te puna, por do të thotë edhe orë të kursyera për t’u dedikuar në punë”, theksoi Veliaj.
Hapja e çerdhes me kapacitet 20 fëmijë është menduar si projekt për të shtuar numrin e punonjëseve nga kompania, e cila synon që këtë vit të shtojë stafin edhe me 200 të rinj.