Qyteti

Një rrugë në Tiranë do të mbajë nga sot emrin e ish-sportistit Muhamet Malo

Një rrugë në Tiranë do të mbajë nga sot emrin e

Rruga që lidh “Medresenë” me “Unazën” në Tiranë do të mbajë emrin e Muhamet Malos, ish-sportist dhe themelues i një prej televizioneve të para në vend, Telesport. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi bashkëshortes së të ndjerit, në shenjë simbolike, një kopje të tabelës me emrin e rrugës. Veliaj tha se Malo mbahet mend si njeriu që i dha aq shumë sportit, sipërmarrjes, filantropisë dhe mbështeti gazetarët e rinj.

“Ai nuk është më mes nesh, prandaj rruga nga ‘Medreseja’ deri tek ‘Unaza’ do të mbajë emrin e tij, si një kujtesë për qytetin dhe për ata që ndoshta nuk kanë qenë bashkëkohës të Metit, por që duan të kujtojnë më të mirën e qytetit tonë, njerëzit më bujarë, me zemrën më të madhe, më guximtarët, të cilët ndonjëherë bëjnë çudira që ne nuk i mendonim kurrë, siç ishte Teleferiku, apo për të qenë pionierët e parë në media atëherë kur mendohej që s’kishte hapësirë për të promovuar gazetarët e rinj”, tha Veliaj.

Ai shtoi se humanisti Malo, me guximin e tij, ka nxitur mjaft të rinj e të reja që të synojnë sa më lart. “Kush rrezikon, kush guxon, bën mrekulli. Më vjen mirë që përtej mrekullive që bëri Meti, të kemi edhe këtë rrugë për të na kujtuar gjithmonë emrin e tij të mirë”, nënvizoi Veliaj.

Muhamet Malo, i cili ndërroi jetë më 6 mars të vitit 2017, njihet si humanist me kontribut në ndihmë të artit dhe sportit shqiptar.