Qyteti

Pallatet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit, Veliaj: Proces transparent, banorët do të marrin apartamente të reja

Pallatet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit, Veliaj: Proces

Këshilli Bashkiak i Tiranës mori vendimin për shembjen e disa ndërtesave të dëmtuara rëndë nga tërmeti i nëntorit, rikonstruksioni i të cilave e kalon vlerën e 70% të kostos së ndërtimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se kur kostoja e riparimit të pallateve të dëmtuara e kalon në vlerën mbi 70%, sipas ligjit shqiptar, ato do të rindërtohen nga e para.

“Sot marrim vendime jo të lehta për prishjen dhe ndërtimin nga e para të atyre pallateve që riparimi u kushton më shumë se 70% e kostos së ndërtimit. Siç thotë Ligji: vendimmarrja e Bashkisë së Tiranës për prishjen e detyruar të ndërtesave, në pronësi private apo publike, për ato raste kur ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur riparimi i saj kushton më shumë se 70 % e kostos së ndërtimit nga e para, do të merret përmes një procesi transparent dhe bazuar në parashikimet e aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019. Në 8 seanca maratonike, të cilat u transmetuan “live” për publikun, u prezantuan nga ekspertët akt ekspertizat e thelluara për pallatet e dëmtuara nga tërmeti. Një proces që sot po na ndihmon të marrim vendime të qarta, të drejta dhe të bazuar në konkluzione profesionale”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë proces dhe i siguroi se banesat e reja do të ofrojnë kushte shumë herë më të mira dhe më moderne se banesat e vjetra.

“Padyshim që është një temë e ndjeshme, vendimet për prishje nuk do të jenë aspak të lehta as për ne, as për familjet e prekura. Do të jetë një ndarje emocionale, sidomos për ata njerëz që kanë kujtime dhe jetojnë me nostalgji. Por dua t’i garantoj qytetarët që do të marrin diçka më të mirë, më të madhe, dhe më me vlerë se ajo që kishin. Ndaj lypset mirëkuptim, bashkëpunim dhe durim deri sa të vij dita e dorëzimit të çelësave të apartamenteve me kushte shumë më të mira dhe më moderne”, deklaroi Veliaj.

Tiranapost.al