Përfundon Rruga e Çekrezës, një tjetër destinacion për t’u eksploruar
Bashkia e Tiranës ka përfunduar Rrugën e Çekrezës në Zall Herr, një aks rural që të shpie në liqenin e Çekrezës dhe më tej lidhet me Niklën. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se është punuar me të njëjtin ritëm dhe cilësi, si në qendër, ashtu edhe në periferi të qytetit. “Kjo rrugë ka qenë një premtim që ua kemi dhënë qytetarëve të Zall Herrit. Ne nuk presim të vijnë zgjedhjet e radhës për të mbajtur fjalën, por sigurohemi që punojmë përditë”, tha ai.
Veliaj siguroi se është vetëm çështje kohe sa bashkia të investojë deri në fshatin më fundor. “Kemi ardhur në Zall Herr për investime më shpesh se në 30 vitet pas komunizmit. Për këtë jam shumë krenar, por kuptoj se ka ende punë për të bërë. Tirana ka 27 njësi, por bashkia ka punuar duke u kujdesur që aty ku ka më shumë banorë të ketë edhe më shumë investime. Kemi qenë në Krrabë, kemi qenë bashkë në të gjithë zonën e Gurrës dhe Petrelës, ku kemi bërë shkolla që duken si ato në bllok, si shkolla “Feti Fanaj”, apo kopshti i Gurrës. Për të gjitha këto arsye do na duhet mirëkuptim: Eshtë vetëm çështje kohe që të shkojmë deri te fshati më fundor. Kjo rrugë është dëshmi e kësaj pune”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Veliaj shtoi se mënyra për të thithur sa më shumë të ardhura për ekonominë lokale është ajo zhvillimit të turizmit në këtë zonë. “Tani duhet mbushur me jetë. Duhet të bëjmë atë që kemi bërë në Dajt, në Farkë dhe Lundër, në të gjithë zonën e Petrelës, apo në Bërzhitë, Krrabë etj, ku organizojmë aktivitete që sjellin njerëz. Investitorët, sidomos në zonat rezidenciale dhe ata që janë shtresë e mesme e sipër, që jeton në zonat rurale, që iu pëlqen jeta në fshat, e që kanë mundësi pak më shumë sesa dikush që jeton në Tiranën urbane, duhet ta shohin këtë zonë me perspektivë. Pronës po i shtohet vlera, kështu që, lum ai që e kap këtë koncept dhe vjen i pari të investojë në zonën e Çekrezës, në këtë liqen fantastik”, theksoi Veliaj.
Pas këtij investimi, Bashkia e Tiranës synon të ndërtojë edhe një tjetër aks të rëndësishëm për banorët e zonës, atë që lidh Zall Herrin me Rrugën e Arbrit.