Qyteti

Projektojmë së bashku, Tirana bën bashkë arkitektë e urbanistë

Projektojmë së bashku, Tirana bën bashkë arkitektë e

Arkitektë profesionistë, urbanistë dhe të rinj u bënë bashkë në forumin Projektojmë së Bashku, për të diskutuar mbi hapësirat publike dhe lëvizshmërinë.

Forumin e përshëndeti edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili fjalën e tij e përqendroi te transformimi që ka pësuar kryeqyteti në 7-8 vitet e fundit, me investime si Sheshi Skënderbej, Unaza e Madhe, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri.

“Për sa kohë e kemi të kufizuar hapësirën bujqësore dhe hapësirën e gjelbër në kurorën e Tiranës, kemi dy mundësi: ose të shkatërrojmë periferitë dhe të shtrihemi si qytet deri në Elbasan, apo në Durrës, ose rritemi në volum, në lartësi, për të siguruar të lirojmë sa më shumë hapësira, në një qytet i cili është i destinuar të rritet në mënyrë të pandalshme”, tha Veliaj.

Ai tha se çdo investim që bëhet në qytet ka një emër dhe mbiemër.

“Arkitektët kanë emër. Disa prej tyre janë këtu fizikisht në Tiranë. Nuk më rezulton që ndonjëri prej tyre të jetë mafioz, i përndjekur apo në gjykatë në vendet e tyre. Secila prej kompanive që ndërton ka vendosur një tabelë, ku emrat janë publikë, janë njerëz që njihen. Nëse në një raport që flet për këto ndërtime citohet një ekspert anonim i pastrimit të parave, kjo nuk shkon!” - deklaroi Veliaj.

Më tej, ai sqaroi edhe nevojën për të ndërtuar në Tiranë. “Në vitet kur Bashkia e Tiranës ishte e paaftë për të dhënë leje ndërtimi, e pamë se çfarë prodhoi. Njerëzit do të vinin në Tiranë me çdo kusht, por nëse Bashkia nuk mban hapin e demografisë, atëherë sigurisht ata do të mbajnë hapin e ambicieve të tyre, duke u përkthyer në ndërtime pa leje”.