Sot mbushen 79 vjet nga masakra e “4 Shkurtit” në Tiranë. Në përkujtim e nderim të viktimave të kësaj masakre, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrë kryetarë të organizatave Kombëtare të Veteranëve dhe familjarë të dëshmorëve të “4 Shkurtit”, për emërtimin e segmentit të rrugës nga Banka e Shqipërisë deri te lumi i Lanës, me emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
“Vendosëm të rikthejmë në vend dinjitetin, të zhbëjmë një padrejtësi me emërtesat në Tiranë. E kuptoj se sisteme të ndryshme, regjime të ndryshme, qeveri të ndryshme, parti të ndryshme kanë opinionet e tyre. Por, mendoj se disa gjëra, tashmë janë të rrënjosura në historinë tonë, si roli i Skënderbeut, roli i Rilindasve, roli i Lëvizjes Antifashiste dhe është fakt se Tirana është çliruar me forcat e veta. Është fakt se Tirana pati 86 viktima, të cilët njihen si “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Është fakt se rruga ka qenë gjithmonë aty, ndaj rikthimi i emërtimit për segmentin nga Banka e Shqipërisë deri te Lumi i Lanës, si rrugë paralele me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rikthen këtë padrejtësi të bërë ndaj familjeve, ndaj dëshmorëve dhe atyre që besojnë te kauza e antifashizmit”, tha Veliaj.
Gjergj Velo, kryetar i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, tha: “Rikthyet në vend një çështje që ishte, jo vetëm gabim, por edhe një shtrembërim dhe një vlerësim jo në kohën e duhur dhe jo në lartësinë e duhur. Ju e korrigjuat. Ju lumtë!”