Rindërtimi/ Shpërndahen shtëpitë në Pezë. Pas tyre e ka radhën Kombinati
Pas katër shkollave të reja, Pezës i është shtuar edhe një lagje e re, me 25 shtëpi, ku janë strehuar familjet e prekura nga tërmeti i 2019.
Në hedhjen e shortit, morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS në zonë, Toni Gogu dhe drejtuesi i Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi. Kryebashkiaku u shpreh se ky moment është një mundësi dhe fillim i ri për të gjithë komunitetin.
“Këtu kemi ndërtuar një komunitet sepse akti i strehimit është vetëm fillimi. Fëmijët që tani shkojnë në shkollat e reja që kemi ndërtuar në Pezë: një në Pezë të Madhe, një në Pezë të Vogël, në Pezë Helmes, dhe në Pojan. Por, lajmi i mirë është se askush nuk e ka humbur pronën që ka në Gjysulkonjë ose fshatra të tjerë të largët. E ka gjithmonë mundësinë ta kultivojë atë ekonomi të vogël modeste. Ndaj, vlerën më të madhe sot e shoh jo te kjo që po na sheh syri, por tek ajo që na sheh zemra dhe mendja, se çfarë realitetesh prodhohen kur fëmijët jetojnë pranë shkollave të reja, pranë ambulancës, pranë konsultores, pranë rrugës kryesore, që të lidh me Tiranën dhe Durrësin. Sot kemi bërë vërtet një punë të dobishme”, tha ai.
Veliaj siguroi se këtë vit do të mbyllet procesi i rindërtimit edhe në zonën urbane. “Ne do të vazhdojmë punën sepse duam që këtë vit ta mbyllim përfundimisht procesin e rindërtimit edhe në zonën urbane. Pjesa më e madhe e qytetarëve janë futur në banesat e “5 Majit”. Shumë shpejt do të hedhim shortin edhe për banesat e Kombinatit. Nuk jam tip që ankohem, por kemi pasur sfida të jashtëzakonshme, përfshi edhe hapësirën këtu ku jemi sot, e cila duket sikur ishte një tokë bosh, duke filluar me historitë e shpronësimit, te ato të ndërtimeve pa leje, te historitë e hartave të mbivendosura, apo historitë e gjyqeve, ndonjëherë brenda familjes”, shtoi ai.